OPINION

Kryetari Alban Hyseni se ka atë komoditet të vendosë kushte strikte partneriteti bashkëqeverisës me partitë tjera

Shkruan: Shefik Surdulli

Kryetari Alban Hyseni, tanipërtani s’e ka atë komoditet të vendosë kushte strikte partneriteti bashkëqeverisës me partitë tjera në Gjilan.

Kryetari i posazyrtarizuar i Komunës, z. Alban Hyseni, në parim e ka mirë me ato konditat kushtëzuese të afishuara në media, për bashkëqeverisje me të tjerët. Por ama, për këto kondita vendos korniza ligjore për vetqeverisje lokale, sikundër edhe vet subjektet e caktuara politike të mvetësishme që vendosin për profilin e kuadrit të saj, nëse paraprakisht ato përcaktohen për një bashkëqeverisje.

Ajo që do të duhej të jetë për diskutim aktualisht, është oferta që kryetari i komunës z. Alban Hyseni si fitues i zgjedhjeve nga LVV, ia ofron subjektit politik me të cilën pretendon të formojë qeverinë lokale.

Hendikep i tij, të cilin natyrisht edhe ai vet e din, është Kuvendi Komunal, ku ai nuk e ka shumicën, madje as 1/3 e përbërjes numerike të Kuvendit.

Ajo që ai mund të vendos në këtë fazë, është mënyra e ndarjes së drejtorive përkatëse me partnerin qeverisës.

Këtu përfundon detyra e tij në këtë fazë për ndërtimin e institucioneve qeverisëse komunale.

Ndërkaq, tek pas ndërtimit të qeverisë komunale, me te si kryeshef i komunës, si dhe performimit të drejtorëve në punën e tyre, tek atëherë kryetari i komunës e ka në dorë kandarin përmes së cilit e matë: ndershmërinë, profesionalizmin dhe të tjerat parime mbi të cilat ai vendos të bashkëqeverisë.

Ndërsa sa i përket asaj se a duhet PDK në Gjilan të hyjë në koalicion me LVV, për këtë unë e kam mendimin e qartë të cilin do ta jap në strukturat e degës.

Shefik Surdulli /ish këshilltar komunal, anëtar i kryesisë së PDK Dega në Gjilan/

You Might Also Like