Gjilan, 21 shtator / Komuna e Gjilanit ka përuruar sot projektin e instalimit të pajisjeve digjitale të navigimit, përkatësisht sistemin GPS në të gjitha automjetet e saj zyrtare, për të monitoruar kështu përdorimin e tyre, përkatësisht për të mënjanuar mundësitë e keqpërdorimit eventual.
Kryetari i Komunës, Alban Hyseni ka thënë se këto pajisje janë instaluar në 30 vetura dhe përmes tyre, tash do të jetë më lehtë të monitorohet përdorimi i automjeteve dhe parandalimi i keqpërdorimit të rastësishëm të automjeteve të Komunës, po edhe mirëmbajtjes së tyre.
‘Ky është një avancim tutje në ruajtjen e të mirës publike dhe pasurisë që u takon edhe qytetarëve dhe jo vetëm atyre që janë në punë në kuadër të Komunës”, ka thënë kryetari Hyseni.
Për më tepër, ai ka nënvizuar se punët e tilla duken të vogla, por kanë një efekt të madh dhe janë shumë të rëndësishme, sepse automjetet ruhen më shumë se më përpara, kursehet buxheti i Komunës dhe ndërkohë sigurohemi që të gjitha veturat, përveç atyre që kanë leje, kthehen në autopark dhe nga këtu pastaj shpërndahen nëpër drejtoritë përkatëse dhe përdorën për qëllimet e destinuara.
“Njëherësh, përdorimi i këtij programi është i lehtë, përmes një kompjuteri dhe një softueri të thjeshtë dhe përparësia e tij është se detekton edhe shpejtësinë e lëvizjes së veturave tona në rrugë”, ka shtuar kryetari Hyseni.