Gjilan

Kryetari i Gjilanit, Alban Hyseni raporton para Kuvendit për punën e tij në këtë 6-mujor

Gjilan, 28 shtator / Kuvendi i Komunës së Gjilanit, në mbledhjen e sotme, nën drejtim e kryesuesit Kushtrim Kadriu, është njoftuar për punën e kësaj qeverisje komunale në periudhën janar-qershor 2023, të cilën e ka prezantuar kryetari Alban Hyseni, duke folur për arritjet nëpër sektorë veç e veç.
Në administratë janë ofruar mbi 75 mijë shërbime, në shëndetësi janë kryer shumë punë e shërbime, ndërsa këtë fundjavë përurohet ambulanca e re në lagjen Arbëria, e treta me radhë në qeverisjen tonë, me aparaturë moderne, te arsimi po vazhdon puna intensive në investime në infrastrukturë e ndriçim efiçient në shkolla, sidomos me investime në çerdhe e kopshte, ndërkohë që kemi aplikuar edhe për disa çerdhe të reja.
Te Buxheti janë tejkaluar të hyrat vetanake për 6-mujorin e parë dhe deri më sot i kemi mbi 600 mijë euro të hyra shtesë, te Urbanizimi ka progres po ashtu sa i përket trajtimit të kërkesave, derisa Inspekcioni ka vendosur rend e rregull dhe tani nuk ka pothuajse aspak ndërtime pa leje, sidomos te ndërtimi i lartë, në Bujqësi është rritur dukshëm buxheti dhe bashkë me të edhe mundësitë për përkrahje të fermerëve.
Te Shërbimet Publike, kemi kontrata në vlerë mbi 3 milionë euro që janë në ekzekutim e sipër dhe deri javën tjetër presim të nënshkruajmë projektin e rrugës së Malishevës dhe rrugës ‘Hamdi Kurteshi’ në vlerë 2.4 milionë euro.
Te Zhvillimi Ekonomik, një pjesë e buxhetit shkon te kodi për bashkëfinancim, si mundësi që të dyfishojmë buxhetin, qoftë për investime kapitale, qoftë për subvencionim të aktiviteteve ndryshme. Këtu i kemi diku te 18 projekte publike dhe sociale, duke përfshirë edhe subvencionime, edhe projekte në infrastrukturë.
Sot do të nënshkruajmë edhe kontratën për punësimin e personave me aftësi të kufizuar me biz nëse që kanë pranuar këtë ofertë. Sa i përket kult-qendrës, në vlerë një milion euro, tani jemi në fazën e vlerësimit të ofertave.
Performancë jashtëzakonisht të mirë ka treguar edhe Drejtoria për Kulturë, Rini e Sport, në Gjeodezi e Kadastër, ku performanca është ngritur dukshëm, me gjithë mungesën e stafit, te Mbrojtja e Shpëtimi sa iu përket masave preventive dhe sektorë të tjerë, ka thënë ndër të tjera kryetari Hyseni.
Kuvendi ka shqyrtuar edhe raportin financiar janar-qershor 2023, të cilin e ka prezantuar Ilmi Limoni, ushtrues detyre i drejtorit të Buxhetit.
Njëherësh, Kuvendi ka miratuar edhe planin komunal për ri-integrim të qëndrueshëm të personave të riatdhesuar dhe integrimin e të huajve në komunën e Gjilanit 2022-2025, i cili përbëhet prej 10 objektivave sikur edhe kërkesën e Drejtorisë së Arsimit për ndarjen e bursave për studentë të kësaj komune në vlerë prej 100 euro.
Për shkak të pikave të shumta të rendit të ditës, Kuvendi ka vendosur që këtë seancë të vazhdojë edhe nesër.
Ndërkaq, në pyetjet e këshilltarëve komunalë Bujar Nevzati, Afërdita Balaj, Ramiz Ramadani, Avdyl Aliu, Gresa Avdiu, Ismajl Kurteshi, Muhadin Haziri, Riad Elezi, Ekrem Kryeziu, Besnik Shala, Krenare Latifi Kçiku, Sami Ahmeti e Blerim Haziri janë përgjigjur drejtorët Albana Demiri (DA), Mentor Mihovci (DSHP), Bajram Isufi (DBP), Doruntina Hasani (DKA), Enver Shabani (DZHE) si dhe nënkryetarja e Komunës, Leonora Morina Bunjaku.
Sa i përket stadiumit të qytetit, nënkryetarja Morina Bunjaku ka thënë se qytetarët në vazhdimësi janë të njoftuar për arritjet tona, ndërkaq në lidhje me stadiumin e qytetit, ajo nënvizoi se nënshkrimin e marrëveshja e bashkëpunimit në vlerë 15 milionë euro me ministrin e Sportit, Hajrullah Çeku, si një nga projektet më të mëdha të kësaj komune dhe pas sfidave të shumta që na janë shfaqur tash e dy vite në këtë projekt.
Tani, bashkë me nivelin qendror do të angazhohemi për zhvillimin e projektit të stadiumit të kategorisë së katërt në Gjilan, ka thënë ajo.
Përndryshe, seanca e sotme ka filluar me nderimin për dëshmorin më të ri të atdheut, policin Afrim Bunjaku, i cili ra në krye të detyrës, në fshatin Banjskë të Leposaviqit.
Republika jonë u përballë me një sulm terrorist të imponuar nga Serbia, në veri të Kosovës, ku fatkeqësisht ra në krye të detyrës një oficer police, ka thënë kryesuesi i Kuvendit, Kushtrim Kadriu.

You Might Also Like