Shkruan: Sherafedin Kadriu, QRTK-Gjilan
Kulla e familjes Fejzallahu ndodhet në fshatin Zotaj (Vojnovc) të Shtimes. Kullën e kishte ndërtuar një kamës i kohës, i njohur si Sherif Aga i Vojnovcit. Tani kulla i takon një prej nipërve të tij, Zejnullah Fejzullahut. Kulla është e punuar me gurë dhe tulla. Gurët janë përdorur vetëm për themele të objektit, ndërsa muret janë punuar nga tullat. Tullat janë të ngjashme me tullat e xhamisë së fshatit, sikundër edhe ndonjë mur rrethues në këtë fshat. Është objekt i emërtuar me të drejtë kullë. Është tamam kullë tipike e tipit të kullave të Dukagjinit. Por, mund të thuhet se nuk ka madhësi si kullat e Dukagjinit. Në fasadë ka dyshekllëkun me katër dritare të vogla me gjysmëharqe. Gjysmëharqet janë punuar nga tulla të kthyera në krah, një pjesë e të cilave del në reliev. Në dritaret e përdhesit ka pasur një ndërhyrje të vogël rreth dritareve, dhe në vend të tullave origjinale janë përdorur disa tulla të vjetra, sigurisht për të ruajtur origjinalitetin. Mbi dritaret e përdhesit, në anën e kundërt të dyshekllëkut ndodhen tri dritare që dritësojnë dhomën lart në kat. Forma e nxjerr si anëcak e dyshekllëkut, nëpërmjet një shiriti tullash bën një kthesë duke u ngjitur sipër dritareve të katit dhe shtrihet mbi to. Veç shtresës shiritore me tre radhë tullash, në sipërfaqen e mureve, afër gesionit, ndodhen dy vrima në fasadë të rrethuara me tulla të vendosura në krahë. Nga tri vrima të tilla janë të vendosura në muret anësore, sikundër edhe në murin e prapmë të kullës. Kulmi i kullës është katërujës, me një pikë kulmore, ndërsa në anën e përparme ka edhe baxhën. Nga kulmi dalin dy oxhaqe, njëri prej tyre punuar me tulla fasade.
Nga dera kullës hyhet në një korridor jo të gjerë, në të djathtë të të cilit ndodhet një dhomë. Dhoma ka tavan prej dërrasash dekorative për kohën, ndërsa është suvatuar rishtas, duke i mbyllur një dollap i cili megjithatë vërehet. Në korridor janë shkallët e drurit që komunikojnë me korridorin e katit që del përballë bazës së dyshekllëkut. Korridori është punuar me dërrasa të gjera e të forta, dërrasa bungu. Edhe në kat ka një dhomë. Dhoma ka dy dollapë me dy dyer dyshe, të cilët kanë pasur përdorim të gjerë.
Të zotët e shtëpisë janë të vetëdijshëm për vlerën që ka kulla dhe e ruajnë mirë. Ata kanë ndërtuar dy shtëpi të reja, dhe nuk e kanë prishur kullën, e cila mund të jetë e vetmja në territorin e 12 komunave të cilat i mbulon QRTK Gjilan. Se ky objekt është kullë e vetme fushore, as që bëhet fjalë.
Pronarët e shtëpisë janë mirëpritës, sikundër vetë kulla do të dëshironte pronar të tillë. Ata i janë gëzuar faktit që kulla u ka rënë atyre, pasi janë ndarë vëllezërit. Për ruajtjen dhe mirëmbajtjen e kullës ka një interesim të madh. Plaku i shtëpisë, i cili punon në Gjermani, gjithnjë i rri gati kullës. Ai ia ndërron qeramidhet që të mos pikojë asnjëherë. I rri gati edhe mureve.