Kuvendi Komunal i Vitisë mbajti seancën e tij të dytë për këtë vit, në të cilën u diskutuan disa çështje me rëndësi për zhvillimin e komunës. Pika kryesore e diskutimit ishte raporti njëvjeçar i Kryetarit të Komunës, si dhe pasqyrat financiare për periudhën janar-dhjetor 2024.Seanca u hap nga kryesuesi i Kuvendit, Bekim Azizi, i cili nisi diskutimet rreth pyetjeve dhe shqetësimeve të këshilltarëve drejtuar ekzekutivit, duke pasuar me miratimin e rendit të ditës për këtë seancë.Pika e parë që ngjalli më shumë diskutime ishte prezantimi i raportit të punës së Kryetarit të Komunës. Ky raport u shoqërua me diskutime të detajuara lidhur me realizimin e aktiviteteve dhe projektet e vitit të kaluar, duke pasur parasysh përpjekjet për zhvillim dhe përmirësim të shërbimeve për qytetarët.Nënkryetari i komunës, Hasan Aliu, prezantoi raportin njëvjeçar të punës së kryetarit Sokol Haliti për vitin 2024. Ky raport përfshiu punën e realizuar nga ekzekutivi komunal, drejtoritë, zyrat dhe shërbimet tjera komunale gjatë vitit që lamë pas. Gjatë paraqitjes së raportit, u theksuan investimet kapitale, përmirësimi i infrastrukturës publike, mbështetja për bujqësinë, arsimin dhe zhvillimin ekonomik lokal. Po ashtu, u raportua mbi efikasitetin e shërbimeve administrative, përmirësimin e transparencës dhe bashkëpunimin me qytetarët. U potencuan edhe sfidat e hasura dhe projektet që priten të realizohen në vitin e ardhshëm. Këshilltarët komunalë diskutuan mbi raportin, duke dhënë vlerësimet dhe kritikat e tyre për përmirësimin e mëtejshëm të shërbimeve publike dhe menaxhimit komunal.
Po ashtu, u diskutua për pasqyrat financiare të buxhetit të Komunës për periudhën janar-dhjetor 2024. Në mungesë të drejtoreshës së Financave dhe Zhvillimit Ekomonik, të dhënat e shpenzimeve dhe të hyrave komunale i prezantoi Berat Zuka, zyrtar për buxhet, i cili theksoi se gjatë vitit 2024, komunës iu inkasuan gjithsej 1.233.158,14€, me një shkallë inkasimi prej 119,78%, duke tejkaluar planifikimin vjetor. Megjithatë, krahasuar me të hyrat e vitit 2023, ato ishin më të ulëta për 200.933,29€.
Në lidhje me shpenzimet buxhetore, ai sqaroi se Buxheti i Alokuar për vitin 2024 ishte 19.945.563,27€, ndërsa shpenzimet e realizuara arritën në 19.775.752,92€, duke shënuar një shkallë ekzekutimi prej 99,15%. Zuka prezantoi gjithashtu tabelat e shpenzimeve të buxhetit, të cilat ishin të detajuara sipas burimeve të financimit dhe programeve ekonomike.
Në këtë seancë, ishte paraparë të diskutohet edhe propozim-vendim për dhënien në shfrytëzim të pronës komunale përmes ankandit publik, si dhe pika për formimin e një komisioni për zbatimin e procedurave dhe vlerësimin e ofertave për dhënien në shfrytëzim të pronës së paluajtshme të komunës. Por që të dyja këto pika u vendos të shtyhen për seancën e radhës së Kuvendit Komunal.Aziz Zuka
Kuvendi Komunal i Vitisë diskutoi pasqyrat financiare për periudhën Janar-Dhjetor 2024 dhe raportin e kryetarit të Komunës
