Klubi i Volejbollit Drita, që është lidere në Kampionatin e Kosovës në Volejboll, konkurrenca e femrave, ka shënuar fitore bindëse me rezultat 3:0 ndaj KV Prishtina ’75.
Ndeshja është luajtur në Palestrën e Sporteve “Bashkim Selishta – Petriti” dhe është konsideruar si ndeshje derbi e kësaj jave, mirëpo me lojën e treguar, KV Drita edhe njëherë ka dëshmuar se është e pa konkurrencë në këtë rang garash.
Në setin e parë që ka zgjatur 19 minuta, vashat nga Gjilani kanë ngadhënjyer me rezultat 25:17, duke mos e vënë në pikëpyetje në asnj çast fitoren e setit. Pak a shumë ngjashëm ishte edhe në setin e dytë, i cili zgjati një minutë më shumë dhe në të cilin mysafiret janë kufizuar në 18 pikë, pra përfundoi me rezultat 25:18.
Mysafiret më së shumti rezistencë i bënë vashave të Lorik Ilazit në setin e fundit, i cili është mbyllur me rezultat 25:20 dhe ka zgjatur 23 minuta.
Pas kësaj ndeshje të fituar, KV Drita kryeson bindshëm në ligën elitare të volejbollit kosovar./kryelajmi.com/.