Futboll

Largohet Amir Alagiq, trajner i Dritës

Largohet Amir Alagiq, trajner i Dritës


Drita ka mbetur edhe pa trajnerin e dytë të saj në këtë kampionat. Pas largimit të ish-trajnerit Sadat Pajaziti, tashti është larguar edhe boshnjaku Amir Alagiq, i cili nga shumëkush ishte parë si shpëtimtar i Dritës.

Alagiq pas ndeshjes me Ferizajn nuk ishte potencuar për gazetarë. Ai e la Dritën aty ku e mori, në pozitën e fundit.

Kryesia e Dritës ka mbajtur një mbledhje dhe ka dalë me një komumikatë nga ajo mbledhje, të cilën po e botojmë të plotë.

Kjo është komunikata e FC Dritës

Komunikatë

Pak orë pas përfundimit të ndeshjes futbollistike FC Drita vs KF Ferizaj është mbajtur një mbledhje e jashtëzakonshme e Kryesisë së Klubit dhe shtabit teknik të Dritës.
Në këtë mbledhje u diskutua ecuria e kampionatit dhe mungesa e rezultateve.
Është vështirë të identifikohen faktorët përgjegjës për gjendjen e klubit, kur dihet investimi i madh nga ana e donatorëve dhe serioziteti i punës nga ana e kryesisë.
Pika kryesore e diskutimit ishte marrëveshja me trajnerin Alagic.
Rezultatet e dobëta ku nga katër ndeshje nuk e kemi shenuar asnjë gol, flasin vet.
Të gjendur në situatë të tillë, pa sukses dhe duke mbështetur secilën kërkesë të trajnerit erdhëm në përfundim se duhet rishikuar pozicionet.
Në raport miqësor u morëm vesh që të nderpresim bashkëpunimin me trajnerin Alagic.
Ishte zgjidhje nga dy palët.
Ne nuk kemi dyshuar asnjëherë në profesionalizmin e trajnerit Alagic, mirëpo përvoja e tij nuk solli sukses në Kosovë.

Kryesia e klubit FC Drita i uron suksese dhe fat trajnerit Amir Alagic në të ardhmen.
Për secilin vendim që do të merret nga Kryesia do të njoftohet me kohë opinioni i gjerë sportdashës dhe tifozët “Intelektualet”.

Gjilan, 16.10.2016.

You Might Also Like