Gjilani pa zot shtëpie, i pafalshëm injorimi i vazhdueshëm i kërkesave të Handikosit dhe Shoqatës së të Verbërve
Lidhja Demokratike e Kosovës- Dega Gjilan, ka mbajtur sot konferencë për medie në selinë e LDK-së në Gjilan.
Në kuadër të konferencave të përjavshme të degës së LDK-së në Gjilan, zëdhënësja e degës, znj. Gresa Avdiu, paraqiti shqetësimin e radhës. Ajo para qytetarëve kritikoi qeverisjen komunale, në krye me të parin e ekzekutivit, për injorimin e vazhdueshëm që po ia bëjnë shoqatave HANDIKOS dhe Shoqatës së të Verbërve në Gjilan.
“Është e papranueshme për të gjithë ne që të zvarriten në këtë mënyrë projekte të rëndësishme të vendit tonë, e të keqpërdoren në mënyrë të tmerrshme taksat e qytetareve tanë. Një kategori e prekur rëndë nga kryeneqësia e të parit të ekzekutivit, janë edhe personat me aftësi të kufizuar. Nuk mjaftoi as protesta e tyre e bërë me 8 korrik, nuk mjaftoi as presioni publik, dhe nuk mjaftuan as vendimet e Kuvendit të marra nga të gjithë anëtarët e Kuvendit Komunal, që dy shoqatave që operojnë në Gjilan për këtë kategori, Shoqates HANDIKOS dhe Shoqates Ndërkomunale të të Verberve, t’u plotësohet kërkesa për ndarjen e mjeteve, të cilat nuk janë aspak shumë në krahasim me keqpërdorimet që behen nga ky ekzekutiv. Në dy vendime të ndara, në mars të këtij viti, Kuvendi Komunal ka ndarë për HANDIKOS 28.700 euro , kurse për Shoqatën Ndërkomunale të të Verbërve ka ndarë 19.996 euro. Pra, as 50.000 euro nuk janë të ndara në total për këtë kategori për një vit, dhe nese kjo shumë nuk ka mundësi të ndahet nga një komunë e madhe siç është komuna e Gjilanit, tregon shumë për moskujdesin dhe paditurinë në qeverisje.
Neglizhencën që ia ka bërë kësaj kategorie e ka treguar me Fshatin e Lumtur, projekt milionësh i realizuar në qeverisjen e kaluar, i cili nuk po mund të jetësohet nga kjo qeverisje. Si LDK, jemi zotuar dhe prapë zotohemi, se buxhetin e përkrahim vetëm nëse futet kërkesa jonë prej 300.000 eurove për këtë vit, në mënyrë që Fshati i Lumtur të bëhet i gatshëm për strehimin e kategorive në nevojë dhe akomodimin e tyre varesisht prej nevojave që kanë. Po shkon edhe ky vit, dhe as një hap më i vogël në këtë drejtim nuk është marrë. Duhet ta kemi të qartë se po flasim për kategorinë me të cilën as nuk duhet t’mendohet të bëjmë politikë, por me të gjitha kapacitetet që kemi si komunë, në çdo qeverisje që vjen, t’u qëndrojmë afër e të mos lejojmë shuarjen e aktiviteteve të tyre, pasi që me këto veprime rëndojmë familjet të cilat kanë anëtarë me aftesi të kufizuar, dhe ndoshta vendet e vetme ku kanë marrë shërbime i kanë pasur këto shoqata. Këto dështime për LDK-në dhe qytetarët janë të dhimbshme, por të pritshme sepse Gjilani ka mbetur pa zot shtëpie”-, tha Avdiu para medieve.