Gjilan, 31 janar 2020 – Këngëtarja Lumturie Shabani është fituese e Festivalit të Muzikës “Fest Flaka 2020”, të cilin e ka ndarë zonja e parë e qytetit, Mirvete Bajrami Haziri, në kuadër të “Flakës së Janarit”.
Kjo këngëtare e re ka marrë besimin e jurisë përzgjedhëse, kurse vendi i dytë është ndarë për këngëtarin Liridon Sadriu, e treti për këngëtaren Greta Azizi.
Ndryshe, fillimisht është paraqitur Ansambli i Këngëtarëve “Gjilani” me dirigjente Florentina Rushiti – Bajrami, që kanë interpretuar këngën “Pyet Kosova”, që u kushtohet vëllezërve Gërvalla dhe Kadri Zekës.
Ishte ky edicioni i 29 me radhë i Manifestimit “Flaka e Janarit”, i cili për tri javë rresht ishte i organizuar nën përkujdesjen e kryetarit të Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri e që këtë vit iu dedikua kolosit Abdullah Tahiri, hero i kombit, por që ky manifestim ka nderuar edhe heronjtë e tjetër të Kosovës e Shqipërisë, të rënë në janarët e kuq të lirisë.
Ky manifestim dëshmoi se Gjilani është kryeqendër kulturore dhe historike në nderim të heronjve dhe dëshmorëve, që bënë që Gjilani dhe gjilanasit të identifikohen me krenari me “Flakën e Janarit”.
Shpresë Kurteshi – Emini, kryesuese e Kuvendit Komunal të Gjilanit, pasi ka bërë hapjen e festivalit, tha se ky manifestim, përmes katër shtyllave të tij, ka nderuar heronjtë e kombit që nga periudha e Skënderbeut e deri te historia e jonë më e re.
Ajo ka thënë se ata që dhanë jetën për liri duhet kujtuar me pietet, kurse ka përshëndetur edhe profesorin e mirënjohur Zhani Ciko, që ishte pjesëmarrës në këtë festival.
Në këtë festival janë paraqitur këngëtarët që kanë konkurruar për tri çmimet e para dhe pasi janë kënduar të gjitha këngët, juria, vendimet e së cilës i ka paraqitur solo këngëtarja Adelina Thaçi, ka ndarë tri çmimet e para.
Në festival janë paraqitur edhe mysafirët Ansambli Kastriotët nga Ferizaj me solistët Riza Bytyqi, Albulenë Misini dhe Alma Haxhiu.
Janë nderuar edhe profesori i muzikës Zekë Jusufi, Ansambli Kastriotët dhe Orkestra e Qytetit.
Festivali “Fest Flaka 2020”, ka shënuar edhe përfundimin e Manifestimit “Flaka e Janarit 2020”.