Gjilan

Ministri Abrashi debaton me të rinjtë e Gjilanit

Organizuar nga Komuna e Gjilanit, respektivisht Njësia për Rini, është mbajtur debat me të rinjtë e Gjilanit me temën “Sfidat në punësim dhe ndërmarrësi”, ku është bashkëbiseduar për mundësitë që ofrohen përmes programeve të ndryshme dhe granteve që ndanë Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, pikërisht për mbështetjen dhe avancimin e të rinjëve në proceset zhvillimore dhe punësim.

Me këtë rast, në fjalën e tij, ministri i Ministrisë për Punë dhe Mirëqenie Sociale, Arban Abrashi, ka thënë se Qeveria e Kosovës në bashkëpunim me nivelin lokal të qeverisjes në Komunën e Gjilanit, kanë marrëveshje bashkëpunimi me qëllim të mbështetjes së të rinjëve në fusha të ndryshme e veçanërisht në ndërmarrësi, punësim.

Ai ka thënë se përmes programit të praktikës në punë, pastaj përmes programit të subvencionimit të gjysmës së pagës në sektorin privat, projektit për punësimet sezonale, pastaj grantet për vetëpunësim, trajnimet profesionale me qëllim të avancimit profesional dhe avancimit jetësor, janë vetëm disa prej programeve dhe granteve që Ministria ka ndarë pikërisht, duke vendosur të rinjtë në qendër të vëmendjes së këtyre projekteve dhe programeve të punësimit.

Abrashi, poashtu, ka falënderuar edhe donatorët e shumtë dhe investitorët e huaj nga qeveritë mike të Kosovës, si USAID, UNDP, HELP, e ambasada të ndryshme, të cilat e kanë lehtësuar qëllimin e ministrisë në punësim sa më të madh të të rinjëve.

Nga ana e saj Shpresa Qamili, prorektore për mësim, kërkime shkencore dhe çështje të studentëve në universitetin “Kadri Zeka”, i ka dhënë mbështetje nismave jashtëzakonisht shpresuese për rininë dhe studentët e Gjilanit, derisa ka kërkuar angazhim maksimal të të rinjve në avancimin e tyre për të qenë konkurrent të fuqishëm në tregun e punës në Kosovë, por edhe jashtë vendit, karshi profesionistëve nga shtete të tjera.

Kurse Genc Mustafa, udhëheqës i Njësisë për Rini në Gjilan, ka thënë se mbështetja e dhënë nga kryetari Lutfi Haziri dhe mbështetja e Ministrisë së Punës, janë gjithnjë e më të mëdha, në mbështetje të rinisë.

Ai, poashtu, ka kërkuar programe shtesë sa i përket mundësive më të mëdha për të rinjtë në biznes dhe zhvillim të ndërmarrësive.

You Might Also Like