Gjilan

Miratohet plani rregullues “Qendra 4”

Komiteti për Planifikim Urban dhe Mbrojtje të Mjedisit (KPUMM), të premten, në një takim të përbashkët me Komitetin Konsultativ të Ekspertëve të Planifikimit Hapësinor, ka miratuar planin rregullues të hollësishëm “Qendra 4”, zonë kjo që shtrihet në pjesën qendrore të qytetit, në një sipërfaqe prej rreth 33 hektarësh.

Fillimisht, Arton Hoxha, kryesues i KPUMM ka konstatuar se plani i ka kaluar të gjitha procedurat paraprake, përfshirë edhe dëgjimet publike dhe tani i mbetet kësaj trupe komunale, që pas shqyrtimit dhe vërejtjeve eventuale që mund të ketë, ta rekomandojë për procedurë të mëtejme.

Siç dihet, Gjilani ka trashëguar plane urbanistike nga e kaluar, të cilat në kushtet e sotme të zhvillimit nuk i kanë mundur të zbatohen në rrethana krejtësisht të reja socio-ekonomike dhe mjedisore.

Valon Shefkiu, drejtor i Urbanizmit, ka thënë se projekti është përgatitur nga drejtoria dhe ky është rasti i parë në Kosovë që një sektor planifikimi bën hartimin e një dokumenti të tillë hapësinor.

Përndryshe, një prezantim detal para anëtarëve të këtyre dy komiteteve, e ka bërë Fadil Sherifi, shef i Sektorit të Planifikimit në DUMM, i cili ka theksuar se pjesa më e madhe e zonës “Qendra 4”, rreth 86 për qind, administrohet nga AKP-ja, e cila e ka dhënë këtë hapësirë në shfrytëzim me qira për 99 vjet, rreth 5 për qind janë prona komunale, diçka më pak – 4.66 për qind, janë prona private, ndërkaq 4.65 për qind, emërtohen si prona të tjera.

“Qendra 4” është njëra nga 26 zonat e qytetit të Gjilanit, që fillon nga xhamia Derë Mëhallë dhe kufizohet me “Qendra 3”, “Livadhet e Arapit”, “Zabeli i Sahit Agës”, “Arbëria 1” dhe “Iliria”.

Sa i përket strukturës së ndërtimit, dominohet nga afarizmi, që daton nga viti 1970 dhe banimi kolektiv, që këtu ka filluar pas vitit 2000. Sipas planit, kjo sipërfaqe është destinuar për banim kolektiv, për afarizmin, për banim kolektiv dhe afarizëm, sport dhe rekreacion, parqe si dhe për nevoja arsimore, shëndetësore, fetare dhe të tjera, për nevojat e rreth 18 mijë banorëve.

Etazhiteti i lejuar për ndërtim në zonë e destinuar për banim kolektiv është B+P+7 deri në B+P+10 kate, ka thënë Sherifi, duke nënvizuar faktin se janë marrë parasysh maksimalisht edhe interesat e grupeve të interesit , me të cilët janë mbajtur 8 takime publike.

Sherifi, sikurse edhe drejtori Shefkiu, janë përgjigjur edhe në pyetjet dhe interesimet konkrete të anëtarëve të dy komiteteve përkatëse, Naim Shaqiri, Florina Zymberi, Muhamet Halili, Selman Sejdiu dhe të tjerë, që kryesisht kishin të bënin me parket dhe gjelbërimin, etazhitetin, rrugët, çerdhet si dhe zgjidhje tjera të propozuara në planin rregullues “Qendra 4”.

Kanë abstenuar nga votimi Florina Zymberi (PDK) e Muhamet Halili (AAK), për shkak se, siç kanë thënë vetë, konfliktit të interesave që kanë në këtë zonë, ndërkaq Nafije Kadriu (VV) ka votuar kundër, me arsyetim se nuk e ka marrë materialin me kohë.

You Might Also Like