Komiteti për Zhvillim Ekonomik (KZHE) ka miratuar të martën, me disa vërejtje të vogla, Strategjinë për zhvillim socio-ekonomik lokal 2017-2021, e cila parasheh realizimin e më se 87 projekteve të ndryshme gjatë periudhës së ardhshme pesëvjeçare. Jehona Hyseni, kryesuese e KZHE, ka thënë se Gjilani do të jetë një shembull i mirë për komunat tjera, sa i përket Strategjisë për zhvillim lokal dhe është shprehur e bindur që të gjitha objektivat e identifikuara në këtë dokument, do të realizohen sipas planifikimit.
Agim Zuzaku, drejtor për Zhvillim Ekonomik, ka thënë se këto objektiva janë të realizueshme, meqë shumica e tyre janë të përputhshme me strategjinë e qeverisë së Kosovës. “Përmes kësaj strategjie, ne synojmë të arrijmë zhvillimin e Komunës sonë në pesë vitet e ardhshme”, ka thënë Zuzaku.
Për më tepër, ai ka nënvizuar faktin se identifikimi i prioriteteve është bërë në bashkëpunim me qytetarët dhe drejtoritë komunale.
Disa nga projektet që parashihet të realizohen në këtë periudhë, janë ndërtimi i kompleksit universitar, infrastruktura rrugore, ujërat e zeza, ngritja e plantacioneve të vishnjës, zhvillimi i industrisë së duhanit, krijimi i zonës ekonomike, transporti urban, shtëpia e pleqve, përkrahja e grave në bujqësi dhe biznes si dhe projekte të tjera.
Bashkim Shala (PDK) ka thënë se strategjia nuk ofron të dhëna të mjaftueshme për projektet, ndërkaq mbi 40 për qind të tyre, janë asfaltime rrugësh, që sipas tij, nuk janë prioritet për qytetarët.
Jakup Bajrami (LDK) ka kërkuar projekteve të zhvillimit ekonomik t`iu jepet prioritet në realizim, sepse krijojnë mundësi punësimi. Përndryshe, strategjia është e realizueshme, ka thënë ai.
Edhe Agron Shurdhani (VV) ka thënë se strategjinë e konsideron të mirë si projeksion, por dyshon që mund të realizohet. Ai ka thënë se është dashur të planifikohet edhe një shkollë profesionale.
Jehona Hyseni ka kërkuar që në kuadër të strategjisë të përfshihet edhe ndërtimi i një çerdheje në Zhegër.
Duke iu dhënë përgjigje këtyre dhe pyetjeve tjera, drejtori Agim Zuzaku ka thënë se rrugët kanë qenë kërkesë kryesore e bizneseve, duke shtuar se rregullimi i infrastrukturës bazike, është ndër të paktat mundësi ku komunat mund t`i ndihmojë bizneset.