Trashëgimi

Mulliri dhe valanica e Vishëve në Binçë të Vitisë

dini Shkruan: Sherafedin Kadriu, QRTK-Gjilan

Mulliri i Vishëve në Binçë ndodhet në jug të fshatit, pranë rrjedhës së lumthit që formon Moravën. Janë rreth 10 metra lug gjithsej që shpie ujin në mulli. Në të vërtetë, mulliri dhe valanica janë ngjitas, por përbëjnë dy objekte të veçanta për materialin e ndërtimit, sikundër edhe një kthinë e errët që ndodhet mes tyre.

Mulliri është ndërtuar kryesisht me gurë dhe hatulla si elementë konstruktivë, ndërsa muret e kthinës dhe të valanicës janë punuar nga shtylla druri dhe dërrasa të trasha bungu. Përndryshe, baza e objekteve është bërë njëjtë, – me gurë. Mulliri ka vetëm një kthinë të madhe, në të cilën ndodhet një gurë mulliri për bluarje, i cili mund të vihet në funksion me pakëz intervenim. Kjo kthinë në murin perëndimor ka një oxhak dhe dy dollapë, me pakëz vend për ndejë. Ka vetëm një dritare për dritësim, po si duket dy dyert gati përballë njëra tjetrës e kanë dritësuar kthinë, duke qëndruar hapur në të shumtën e rasteve. Muri jugor i mullirit duket se është çarë mjaft dhe është deformuar nga jashtë. Kulmi në anën tjetër pikon sepse janë thyer disa tjegulla dhe nuk ka kulmarë fare. (Ishte ditë me shi kur e vizituam objektin, -Sh.K.).

Dyshemeja e mullirit përpos trarëve dhe dërrasave ka edhe një sipërfaqe të veçantë me dhe të ngjeshur. Kthina në vazhdim linear ka mure dërrasash të forta edhe sot. Me të komunikohet nëpërmjet derës së brendshme nga kthina e mullirit. Ajo ka shërbyer për ndej, duke komunikuar me valanicën. Është e ulët dhe shumë e errët, sa as edhe dy dritaret e vogla nuk bëjnë punë. Mund të jetë që kjo kthinë të ketë shërbyer për vendosjen e leshit të punuar nga valanica! Valanica, sikundër u tha edhe njëherë tjetër, muret i ka prej dërrasash të forta, ndërsa vetëm njëri prej mureve është i punuar me gurë dhe gjysma tjetër me qerpiçë, – është fjala për murin ndarës ndërmjet valanicës dhe kthinës së errët.

 

You Might Also Like