Ndërron jetë legjenda e hendbollit të Anamoravës dhe më gjerë, Kadrije Sllamniku-Basha
Ka ndërruar jetë Kadrije Sllamniku-Basha, hendbollistja e parë shqiptare nga Anamorava dhe më gjerë, e cila theu të gjitha tabutë duke nisur të merret me hendboll në moshën 13-vjeçare.
Kadrija ishte simbol i guximit dhe përkushtimit, duke kapërcyer barriera të pakapërcyeshme për t’i hapur rrugë vajzave shqiptare në sport. Ajo përfaqësoi kombin shqiptar në fusha të ndryshme të hendbollit të ish-Jugosllavisë, duke u bërë një inspirim për shumë breza.
E dashur dhe e respektuar kudo që luante, Kadrija përballej me diskriminim vetëm sepse ishte shqiptare. Në kohën kur bashkëlojtaret e saj kishin patika sportive, ajo luante pa pajisjet e duhura, por asnjëherë nuk u dorëzua. Përkundrazi, ajo luftoi për emancipimin e grave shqiptare dhe për të vendosur një shembull të qëndrueshëm të forcës dhe vendosmërisë.
Në një intervistë të saj të mëparshme, Kadrija ishte shprehur:
“Jam shumë e lumtur dhe e emocionuar që populli im po ecën me hapa të sigurt si gjithë popujt e botës. Jam shumë e lumtur që sportistet shqiptare, ‘motrat e mia,’ sot janë të barabarta me të gjitha sportistet e botës.”
Familjarët kanë bërë të ditur se për detajet e varrimit do të informohet opinioni me kohë.
Kadrije Sllamniku-Basha do të kujtohet gjithmonë si një figurë që trasoi rrugën e prosperitetit dhe ngriti lart emrin e kombit shqiptar në sport.