Gjilan, 20 dhjetor 2018 – Është inauguruar sot në Gjilan qendra e artizanateve dhe trajnimeve në Gjilan Open Door, ku bizneset nga rajoni i Gjilanit dhe ai i Kumanovës, kanë ekspozuar punimet e tyre tradicionale e prodhimet ushqimore nga tradita, në kuadër të programit të përbashkët Kosovë-Maqedoni.
Inaugurimin e kësaj qendre e ka bërë kryetari Lutfi Haziri, zëvendës shefi i operimeve i BE-së në Kosovë, Libor Chlad, përfaqësues nga Komuna e Kumanovës dhe ata të Qeverisë së Republikës së Kosovës.
Kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri, e ka vlerësuar lartë hapjen e kësaj qendre, ndërkaq ka pohuar se sot ka qenë dita e Europës për Gjilanin, marrë parasysh promovimin e tri IPA programeve që kjo komunë i ka fituar nga KE.
Në këtë event u tha se modeli i kësaj qendre dhe i bashkëpunimit Gjilan-Kumanovë do të dëshmoj një instrument të qëndrueshëm me sens atraksioni nga fusha e kulturës dhe ajo e turizmit.
Më pas, kryetari Haziri dhe zëvendës shefi i operimeve i BE-së në Kosovë, Libor Chlad, kanë vizituar panairin e artizanateve në qendër të Gjilanit dhe shkollën e Agrobiznesit “Arbëria”, për të parë nga afër mundësitë e jashtëzakonshme që ofron ky institucion për nxënësit.