Në hollin e Gjimnazit Natyror “Xhavit Ahmeti” po qëndron e hapur ekspozita e artit pamor me motive kosovare. Kjo ekspozitë, me punime të nxënësve është hapur për të nderuar Ditën e Shpalljes së Pavarësisë së Kosovës – 17 shkurtin.
Nxënësit e Gjimnazit Natyror “Xhavit Ahmeti”, nën përkujdesjen e profesoreshës së artit figurativ, Magbule Xhemaili kanë realizuar punime të ndryshme si piktura, kolazhe, punime dore, grafikë, mozaikë dhe punime të tjera, nëpërmjet të cilave e kanë bërë edhe më festive këtë ditë.
Në punimet e realizuara nga nxënësit dominojnë ngjyrat kaltër, verdhë e bardhë, që janë edhe ngjyrat e flamurit të Kosovës, kurse punimet janë me motive të ndryshme, ku dominon flamuri i Kosovës, veshjet kombëtare, figura të heronjve tanë, punime dore me materiale të ndryshme, pëllumba që simbolizojnë paqen, por edhe punime të tjera me numrin 16, që simbolizon përvjetorin e sivjetmë.
Magbule Xhemaili, profesoreshë nën përkujdesjen e së cilës kanë punuar nxënësit, thotë se këta artistë të rinj kanë punuar sipas dëshirës dhe aftësive të tyre, kurse punimet janë realizuar në temën “Dita e Pavarësisë së Kosovës”. Ajo thotë se nxënësit janë treguar tejet kreativë dhe se i kanë dhënë hijeshi kësaj feste.