Futboll

Në katër vitet e fundit nga SC Gjilani u larguan pesë kryetrajnerë

Në katër vitet e fundit nga SC Gjilani u larguan pesë kryetrajnerë

Shkruan: Enver Sadiku

Trajnerët gjithmonë i kanë të gatshme rrobat në valixhe dhe atyre kurrë nuk iu dihet qëndrimi në një klub. Në ekipet e mëdha bëhen projekte, plane afatmesme e afatgjata se ku synohet të arrihet pas një a më shumë vitesh, por ndryshe ndodh në Kosovë, ku “udhëtar me valixhe” mund të jesh në çdo kohë, shkruan kryelajmi.com

Ismet Munishi kryetrajneri që u largua së fundi nuk bënë përjashtim sa u përket largimeve nga klubi, ngase vetëm në katër vitet e fundit nga SC Gjilani u larguan pesë kryetrajnerë, pa përmendur këtu disa nga trajnerët e Gjilanit e që ishin të përkohshëm.

Nuk i kishte punët mirë me Skifterat, dha dorëheqje Arbnor Morina

Më 10 prill 2018 Arbnor Morina, kryetrajner  i Gjilanit ka dhënë dorëheqje. Që prej humbjes në kupë nga Vushtrria, Arbnor Morina ishte përballë me kërkesën e Klubit të Tifozëve “Skifterët”, të cilët kanë kërkuar dorëheqjen e tij, gjë të cilën përkundër kërkesës së vazhdueshme Morina nuk e kishte bërë.

Mirëpo kishte ardhur dita Morina ka dhënë dorëheqje, duke theksuar se një gjë të tillë po e bënë me qëllim që të ruhet stabiliteti i skuadrës dhe harmonia.

Ky kishte qenë njoftimi i plotë i Arbnor Morinës:

Të nderuar,

Për shkak të situatës të fundit të krijuar në klubin SC. “Gjilani”, duke dashur që skuadrës t’i ruaj stabilitetin dhe harmoninë, te cilën e kemi krijuar me shumë mund e punë, nga sot jam dorëhequr nga posti i kryetrajnerit

Një falënderim i veçante shkon për të gjitha familjet Gjilanase që edhe në këtë situate, më kanë kontaktuar, e motivuar për punë.

Përherë mirënjohës e falënderues ndaj kryetarit Florim Zuka e drejtorit sportiv Naser Ajeti, të cilët gjithmonë më qëndruan krah e edhe sot shprehën përkrahjen dhe vlersuan lartë punën time.

Faleminderit shtabit teknik Albanit e Afrimit, ekonomit dhe terapeutëve të klubit që ishin gjithmonë të gatshëm që me përpikmëri të kryenin detyrat e qe ishin krahu im i djathtë për dy vite pune.

Faleminderit djelmoshave futbollistë që nuk e kursyen asnjëherë as atomin e fundit në lojë.

Nga Gjilani, po kthehem me një bagazh miqsh të rinj, familjen Zuka dhe te tjerët, kështu duke e cilësuar veten serish si një ndër njerëzit më të pasur falë miqve.

Me bindje të thellë them se SC.Gjilani është në rrugën e duhur për t’u bërë klub i madh, ndonëse kjo shumë kujt po i pengon.

Me shumë respekt,
Arbnori

Gjilanit nuk po i ecte, u ndërpre bashkëpunimin me trajnerin Sadat Pajaziti

Më 20 shkurt  2019 me marrëveshje të dyanëshme skuadra e Gjilanit ka ndërprerë bashkëpunimin me trajnerin Sadat Pajaziti. Klubi Futbollistik SC Gjilani, e falënderoi Pajazitin për kontributin e dhënë dhe i uron suksese në vazhdimin e karrierës së tij menagjeriale. Në fund të atij kampionati, SC Gjilani shpëtoi prej rënies nga liga vetëm në ndeshjen e barazhit.

U humb kryendeshja me Dritën, Gentjan Mezani ofroi dorëheqjen

Më 30 nëntor 2020 nga SC Gjilani përmes një komunikate zyrtare, SC Gjilani njoftoi se dorëheqje ofroi nga klubi, kryetrajneri nga Shqipëria, Gentian Mezani. Në komunikatë u tha se pas ndeshjes derbi të zhvilluar ndaj Dritës, kryesia e klubit mbajti takim së bashku edhe me trajnerin Gentian Mezani, ku u analizua rrjedha e kampionatit.

“Pas insistimit të trajnerit kryesia e klubit pranoi dorëheqjen e ofruar nga Gentian Mezani, i cili edhe në periudhën kur mungoi për shkaqe familjare, kishte ofruar dorëheqje por që nuk ishte pranuar.”

SC Gjilani e falënderoi Gentijan Mezanin për kontributin që kishte dhënë, por në fakt ishte ndeshja ndaj Dritës, e cila po rridhte mirë për ekipin e Gjilanit dhe një minut pa përfunduar ajo Gjilani ishte në epërsi me 2:1, kurse për dy minuta në vijim rezultati ndryshoi në 2:3 dhe për këtë humbje krejt barra ra mbi kryetrajnerin, Gentijan Mezani.

U humb ndeshja për Kupë nga Dukagjini, dha dorëheqje Bylbyl Sokoli

Më 12 mars 2021 nga SC Gjilani u dha komunikata se Bylbyl Sokoli, nuk do ta udhëheq skuadrën, ngase ai dha dorëheqje nga posti numrit një të shtabit teknik në skuadër.

Mbyllja e bashkëpunimit me trajnerin erdhi pas rezultateve jo të mira pas fillimit të pjesës pranverore në kupë dhe kampionat, me ç’rast dorëheqeja nga Bylbyl Sokoli, u aprovua nga klubi, duke e liruar atë nga detyra e trajnerit.

Në fakt, Bylbyl Sokoli kishte ardhur me qëllim që së paku të kap Evropën, ndërkohë së paku duke e fituar Kupën e Kosovës në futboll, por dëshprimi ishte i madh kur Gjilani u eliminua pikërisht nga kupa edhe atë nga një skuadër që luante në rang më të ultë të garave, KF Dukagjini.

U humbën shpresat për titull, u largua Ismet Munishi

Këtë fillimjavë, më 25 prill 2022 nga SC Gjilani u largua Ismet Munishi, kryetrajner, i cili kishte arritur në Gjilan me një qëllim të vetëm, fitimin e titullit. Kur u shua ky objektiv, pasoi edhe largimi i tij nga SC Gjilani.

“Sport Club “Gjilani” njofton se ka mbyllur bashkëpunimin me shefin e shtabit teknik Ismet Munishi.

Klubi e falenderon Munishin për kontributin e dhënë duke i uruar shumë suksese në karrierën e tij sportive”, u tha në komunikatën zyrtare të SC Gjilani. /kryelajmi.com/.

You Might Also Like