Gjilan

Në mungesë kuorumi, ndërpritet sërish seanca e Kuvendit Komunal të Gjilanit

Në mungesë kuorumi, ndërpritet sërish seanca e Kuvendit Komunal të Gjilanit

Gjilan, 26 maj 2023 – Kuvendi Komunal i Gjilanit, në mungesë të kuorumit, e ka ndërprerë sërish  seancën e sotme, pas diskutimit për anulimin e tri vendimeve të mëhershme që kanë të bëjnë me plotësimin dhe ndryshimin e kushteve ndërtimore në nënzonën e Bllokut “B3” në kuadër të Planit Rregullues Urban “Kodra e Thatë”, në zonën e Bllokut “B4” në kuadër të Planit Rregullues Urban “Kodra e Thatë” dhe në zonën e Bllokut “I” në kuadër të Planit Rregullues Urban “Livadhet e Arapit”, të cilat i ka arsyetuar drejtori për Urbanizëm, Ali Arifi.

“Fjala është për tri vendime të konstatuara nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor si të paligjshme e pa i përfilluar procedurat në planifikim hapësinor”, ka thënë Arifi. Shfuqizimin e këtyre vendimeve e ka kundërshtuar opozita (LDK), me arsyetimin se nuk ka asnjë arsye për t’i anuluar dhe se, sipas tyre, nuk kanë kaluar në Komitetin për Planifikim Hapësinor dhe në Komitetin për Politikë dhe Financa.

Paraprakisht, duke u përgjigjur pyetjeve të asambleistëve të opozitës, kryetari i Komunës, Alban Hyseni, ka thënë se palestra në Zhegër ka qenë vetëm një skelet i betonit, ku gjysma e tribunave s’kanë qenë të pëfunduara.

“Deri tash kemi përfunduar pjesën e ndërtimit të vrazhdë, pjesa e betonit ka përfunduar, tash jemi te faza e përfundimit të kulmit, për të vazhduar me fazën e suvatimit. Në momentin që po flasim, kapriatat e hekurit janë duke u përfunduar në fabrikë. Për këtë periudhë prej një vit e gjysmë kemi përfunduar më shumë punë se që është punuar në gjashtë vitet e kaluara në këtë palestër”, ka thënë ai.

Duke iu përgjigjur kritikave të opozitës, kryetari Hyseni tha se shuma e përkrahjes së klubeve sportive nuk ka qenë asnjëherë më e lartë se në këto dy vitet e fundit të qeverisjes së tij.

Pos shfuqizimit të tri vendimeve të mëhershme që kanë të bëjnë me plotësimin dhe ndryshimin e kushteve ndërtimore, në këtë seancë ka qenë e paraparë që të diskutohet dhe miratohet edhe Plani Komunal per Integritet 2023/2027, Projekt Statuti i Teatrit të Qytetit, Projekt Statuti i Galerisë së Arteve, Projekt Rregullorja për shfrytëzimin e sallës së madhe të Teatrit të Qytetit, Projekt Rregullorja për punën e Këshillit Drejtues të Teatrit të Qytetit e Projekt Plani Lokal i Veprimit në Mjedis 2020-2024.

Po ashtu, në këtë mbledhje ishte e paraparë të diskutohet dhe miratohet edhe propozim vendimi për ndryshimin dhe plotësimin e vendimit për subvencionimin e lehonave, personave me aftësi të kufizuar, bizneseve me pronare gra, bizneseve Start Up për të rinj dhe praktikantëve, sikurse edhe propozim vendimi për zgjerimin e veprimtarisë në kuadër të NPL Tregu, në fushën e mirëmbajtjes së hapësirave publike.

Ndryshe, kryesuesi i Kuvendit Komunal, Arianit Sadiku, tha se mbledhja e pestë shtyhet për një datë tjetër, për të cilën publiku do të njoftohet me kohë.

—————————————

Seanca e Kuvendit Komunal është transmetuar drejtpërdrejt në formatin livestream në webfaqe dhe në faqen zyrtare të Komunës në Facebook.  ​

You Might Also Like