ARSIMI

NË REGJIONIN E GJILANIT U MBAJT GARA NDËRKOMBËTARE E MATEMATIKËS ,,KENGURI PA KUFI 2025”

Shkruan Festim Shkodra – koordinator rajonal
Më 22 Mars 2025 në Gjilan dhe Viti u mbajt me sukses Gara Ndërkombëtare e Matematikës ,,Kenguri pa kufi – Kosova 2025” për Regjionin e Gjilanit.
Në këtë garë në Gjilan , morën pjesë rreth 250 nxënës të klasave I-XII, nga Regjioni i Gjilanit (Gjilan, Kamenicë, Kllokot dhe Artanë) si dhe Lugina e Preshevës. Gara për komunën e Vitisë u mbajt në Viti.
Kjo garë mbahet njëkohësisht, në tërë Kosovën dhe botë. Gara në Kosovë u organizua nga Instituti ,,Atom” në Prishtinë, në bashkëpunim me MAShTI-n, DKA-të përkatëse komunale, si dhe përkrahje nga UKZ.
Gara Ndërkombëtare e Matematikës ,,Kenguri pa kufi” mbahet njëkohësiht në mbarë botën, për dhjetëra vite me rradhë. Në këtë garë marrin pjesë nxënësit e klasave I-XII, të ndarë në 6 kategori sipas klasave që vijojnë. Të drejtën e pjesëmarrjes e kanë të gjithë nxënësit e këtyre klasave, pa marrë parasysh suksesin që kanë në lëndën e matematikës apo në përgjithësi. Ata iu nënshtrohen të njëjtave teste në tërë botën varësisht prej kategorive që iu takojnë. Kjo garë organizohet në mbi 80 shtete të botës, ku marrin pjesë mbi 6 milionë nxënës. Kjo është gara ndërkombëtare më e popullarizuar e matematikës si dhe gara më e madhe e dijes për nxënës, që organizohet në botë. Prandaj kjo garë është një mundësi e mirë që edhe nxënësit e Kosovës ta kenë këtë përvojë si bashkëmoshatarët e tyre në mbarë botën, duke u sprovuar në teste të njëjta nga matematika.
Kosova sivjet mori pjesë për herë të nëntë në këtë garë, me të drejta të plota. Gara në Kosovë u organizua nga Instituti Ndërkombëtar ,,Atom” në Prishtinë dhe u përkrah edhe nga MASHTI. Kjo është njëkohësisht edhe gara më e madhe vjetore e dijes, që organizohet në Kosovë. Në Gjilan morën pjesë rreth 250 garues. Numri më i madh i garuesve ishin nga Komuna e Gjilanit. Ndërsa në kuadër të tyre, me përqindje më të madhe morën pjesë nxënësit nga shkolla “Hello” në Gjilan. Ndërsa sipas klasave më të shumtë ishin garuesit nga klasa e III dhe IV. Pjesëmarrja ishte tejet e ulët nga nxënësit e klasave 9-12. Gara u mbajt në hapësirat e Universitetit Publik “Kadri Zeka” në Gjilan, me përkrahje të madhe nga Fakulteti i Shkencave Aplikative (FSHA) pranë këtij universiteti dhe DKA në Gjilan. Ky universitet ofroi mikpritje të shkëlqyeshme dhe kushte tejet komode për mbajtjen e kësaj gare.
FSHA në UKZ në Gjilan, edhe sivjet kontribuoi me përkrahje të madhe logjistike etj., për mbajtjen me sukses të kësaj gare, posaçërisht profesorët dr. sc. Xhevdet Thaçi, dr. sc. Ekrem Halimi dhe mas. sc. Agon Mahmuti. Të gjithë ata që e mbështetën organizimin e garës Ndërkombëtare të Matematikës “Kenguri pa Kufi 2024” në Gjilan, i falënderojmë publikisht për përkrahjen e dhënë.
Në hapjen e kësaj gare, në Gjilan morën pjesë: z. Shpend Nuhiu – drejtor i DKA-së në Gjilan, dr. sc. Artan Dërmaku rektor i UKZ-së, dr. sc. Xhevdet Thaqi – dekan i FSHA në UKZ-ish profesori i matematikës nga UKZ dr. sc. Sabri Tahiri, prindër, mësimdhënës si dhe mysafirë tjerë rasti.
Drejtori Nuhiu i porositi garuesit të mësojnë sa më shumë duke ditë rëndësinë e matematikës. Ai ju uroi suksese garuesve dhe i përgëzoi organizatorët e garës, për punën e madhe që po bëjnë.
Rektori Dërmaku me një fjalë rasti ju uroi suksese garuesve dhe shprehi vullnetin që UKZ ta përkrahë edhe më tepër këtë garë. Ai tha se me kënaqësi ndihmojmë organizimin e këtyre garave, sepse këta garues në të ardhmen do të bëhen shtyllë e përparimit të vendit tonë. Dekani Thaqi i FShA-së, e vlerësoi lartë këtë garë dhe punën e mësimdhënësve me nxënës si dhe ju uroi garuesve suksese dhe mirëseardhje në UKZ në të ardhmen si studentë. Edhe mysafiri dr.sc. Sabri Tabiri -ish profesor i UKZ-së inkurajoi garuesit që në vazhdimësi të marrin pjesë në gara të dijes, të mos e konsiderojnë të rëndë matematikën, por të mësojnë dhe ushtrojnë në vazhdimësi.
Koordinatori rajonal Festim Shkodra, duke iu uruar suksese garuesve, njëkohësisht iu tha atyre se ju të gjithë jeni fitues, sepse duke u përgatitë për këtë garë ju keni mësuar shumë gjëra të reja dhe përmes kësaj gare do të dilni shumë më të ditur. Ai iu tha garuesve, se kjo garë iu mundëson qasjen në matematikë në mënyrë më kreative, praktike dhe argëtuese. Ai i porositi garuesit që të mos stresohen nga gara, por ta marrin këtë garë si një sheti relaksuese në matematikë. Poashtu ai iu tha garuesve se jo patjetër ju duhet të bëheni matematikanë në të ardhmen, por nëse mësoni matematikën ju do të bëheni më të suksesshëm në cilindo profesion, se sa ata që e anashkalojnë matematikën.
Profesori Shkodra iu tha garuesve, se sot edhe ju po merrni pjesë në këtë sfidë të dijes sikur miliona fëmijë nga tërë bota, prandaj kjo garë ka rëndësi tejet të madhe për ju dhe vendin tonë në përgjithësi. Koordinatori Shkodra tha se kjo garë ndikon pozitivisht edhe në formimin shkencor të garuesve si dhe nxitë rritjen e arritshmërisë në shkollat tona. Prandaj ai tha se nevojitet përkrahje maksimale e institucioneve komunale dhe shtetit për çdo garë të dijes, e posaçërisht për matematikë.
Testet e kësaj gare përgatiten nga nga një komision ndërkombëtar matematikanësh të dalluar dhe punimet e nxënësve kontrollohen pastaj në mënyrë elektronike nëpër shtetet prej nga vijnë nxënësit. Problemet/detyrat në garën “Kangaroo” nuk janë probleme standarde të librave shkollorë dhe vijnë nga një larmi e madhe temash. Përveç ideve frymëzuese, këmbënguljes dhe kreativitetit, ato kërkojnë imagjinatë, aftësi themelore llogaritëse, të menduarit logjik dhe strategji të tjera për zgjidhjen e problemeve.
Rezultatet e testimit të garuesve komunikohen njëkohësisht në tërë botën, pas dy muajsh. Këto rezultate nuk shpallen publikisht, por iu komunikohen nxënësve (prindërve) individualisht. Për formën, formatin dhe mënyrën e komunikimit të rezultateve individuale të testimit të garuesve në Kosovë, ata do të informohen me kohë përmes ueb faqes së Math Kangaroo Contest – Kosovo (MKC-K): www.kangaroo-ks.org dhe faqes së Facebook-ut të MKC-K. Ndërsa garuesit më të suksesshëm shpallen publikisht. Të gjithë pjesëmarrësve të kësaj gare në Kosovë do t’iu jepen certifikata të njohura ndërkombëtarisht, ku pasqyrohet suksesi i arritur nga secili nxënës.
Gara “Kenguri pa kufi” ka për qëllim promovimin e matematikës dhe rëndësisë së saj në gjithë botën. Veç kësaj, Instituti ATOM e përdorë këtë garë për të identifikuar talentet e rinj në fushën e matematikës në Kosovë, në mënyrë që të ofrojë aktivitete dhe shërbime të ndryshme përkrahëse për këto talente në funksion të zhvillimit dhe avancimit maksimal të talentit, njohurisë dhe kompetencës së tyre në fushën e matematikës, posaçërisht duke iu ofruar kurse të avancuara të matematikës nga profesionistët e fushës dhe qasje në literaturë të avancuar të matematikës, në përputhje me moshën dhe talentin e tyre në matematikë. Për më të dalluarit në nivel të shtetit, do të sigurohen edhe shpërblime të ndryshme varësisht nga mundësitë. Poashtu edhe Qeveria e Kosovës, duke e kuptuar rëndësinë e madhe të kësaj gare të dijes, më masovikes në Kosovë, qe tri vite me radhë po i shpërblen garuesit më të suksesshëm të “Kangaroos”.
Suksese të gjithë pjesëmarrësve të Garës Ndërkombëtare të Matematikës “Kenguri pa kufi 2025”!
Mirupafshim në garën “Kenguri pa kufi 2026” !

You Might Also Like