Shkruan Festim Shkodra – koordinator rajonal
Më 23 Mars 2024 në Gjilan u mbajt me sukses Gara Ndërkombëtare e Matematikës ,,Kenguri pa kufi – Kosova 2024” për Regjionin e Gjilanit . Në këtë garë morën pjesë rreth 250 nxënës të klasave I-XII, nga Regjioni i Gjilanit (Gjilan, Viti, Kamenicë dhe Artanë) dhe Lugina e Preshevës. Kjo garë mbahet njëkohësisht, në tërë Koosovën dhe botë. Gara në Kosovë u organizua nga Instituti ,,Atom” në Prishtinë, me përkrahje edhe nga MASHTI.
Gara Ndërkombëtare e Matematikës ,,Kenguri pa kufi” mbahet njëkohësiht në mbarë botën, për dhjetëra vite me rradhë. Në këtë garë marrin pjesë nxënësit e klasave I-XII, të ndarë në 6 kategori sipas klasave: Fillestarët (kl. I-II), Fatosët (kl. III-IV) , Pionierët (kl. V-VI), Kadetët (kl. VII-VIII), Juniorët (kl. IX-X) dhe Seniorët (kl. XI-XII). Të drejtën e pjesëmarrjes e kishin të gjithë nxënësit e këtyre klasave, pa marrë parasysh suksesin që kanë në lëndën e matematikës apo në përgjithësi. Ata iu nënshtrohen të njëjtave teste në tërë botën varësisht prej kategorive që iu takojnë. Kjo garë organizohet në mbi 80 shtete të botës, ku marrin pjesë mbi gjashtë milionë nxënës. Kjo është gara ndërkombëtare më e popullarizuar e matematikës si dhe gara më e madhe e dijes për nxënës, që organizohet në botë. Prandaj kjo garë është një mundësi e mirë që edhe nxënësit e Kosovës ta kenë këtë përvojë si bashkëmoshatarët e tyre në mbarë botën, duke u sprovuar në teste të njëjta nga matematika.
Republika e Kosovës sivjet mori pjesë për herë të tetë në këtë garë, me të drejta të plota. Gara në Kosovë u organizua nga Instituti Ndërkombëtar ,,Atom” në Prishtinë dhe u përkrah edhe nga MASHTI. Kjo garë u mbajt më 23 Mars 2024 në tërë Kosovën. Në kuadër të kësaj gare, sivjet në Kosovë morën pjesë mbi 2500 nxënës. Kjo është njëkohësisht edhe gara më e madhe vjetore e dijes, që organizohet në Kosovë. Kështu edhe matematikanët e Kosovës, po e afirmojnë shtetin tonë në shkallë botërore. Në këtë garë nëpër botë, posaçërisht marrin pjesë me numër tejet të madh nxënësit e shteteve të zhvilluara të botës.
Gara Ndërkombëtare e Matematikës ,,Kenguri pa kufi” u organizua edhe në Regjionin e Gjilanit (Gjilan, Viti, Kamenicë, Kllokot dhe Artanë) si dhe Lugina e Preshevës, ku morën pjesë rreth 250 nxënës. Numri më i madh i garuesve ishin nga Komuna e Gjilanit. Ndërsa në kuadër të tyre, me pëtqindje më të madhe morën pjesë nxënësit nga shkollat: Hello Academy of Education, SHFMU “Nazmi Hoxha”, SHFMU “Musa Zajmi”, SHFMU “Selami Hallaçi” nga Gjilani si dhe SHFMU “Hysen Tërpeza” nga Vitia. Ndërsa sipas klasave më të shumtë ishin garuesit nga klasa e III, V dhe IV. Pjesëmarrja ishte tejet e ulët nga nxënësit e shkollave të mesme të larta. Gara u mbajt në hapësirat e Universitetit Publik “Kadri Zeka” në Gjilan, me përkrahje të madhe nga Fakulteti i Shkencave Aplikative (FSHA) pranë këtij universiteti dhe DKA në Gjilan. Ky universitet ofroi mikpritje të shkëlqyeshme dhe kushte tejet komode për mbajtjen e kësaj gare. Koordinatorë komunalë të Gjilanit, Vitisë, Kamenicës dhe Artanës për këtë garë edhe sivjet ishin përkatësisht: Festim Shkodra, Burim Jashari, Agim Maliqi dhe Afrim Isufi.
Dega e matematikës pranë FSHA-së në UKZ në Gjilan, edhe sivjet kontribuoi me përkrahje të madhe logjistike etj., për mbajtjen me sukses të kësaj gare, posaçërisht profesorët dr. sc. Xhevdet Thaçi, dr. sc. Ekrem Halimi dhe mas. sc. Agon Mahmuti. Gjatë kësaj gare për nxënësit garues dhe stafin e garës, kompania vendore “RC Cola” nga Gjilani dhuroi pije freskuese”. Kjo kompani për vite me rradhë po i përkrahë garat e matematikës në Rajonin e Gjilanit. Të gjithë ata që e mbështetën organizimin e garës Ndërkombëtare të Matematikës “Kenguri pa Kufi 2024” në Gjilan, i falënderojmë publikisht për përkrahjen e dhënë.
Në hapjen e kësaj gare, në Gjilan mori pjesë, dekani i FSHA të UKZ-së dr. sc. Xhevdet Thaqi, profesori i matematikës i UKZ-së, dr. sc. Musa Ajeti si dhe disa mysafirë tjerë rasti.
Dekani Thaqi, e përgëzoi këtë garë duke shprehë vullnetin që UKZ ta përkrahë edhe më tepër në të ardhmen. Ai tha se me kënaqësi ndihmojmë organizimin e këtyre garave, sepse nga këta garues dhe të rinjtë në përgjithësi presim që në të ardhmen të bëhen shtytës të zhvillimit të shoqërisë dhe shtetit tonë, duke mundësuar një jetë më të mirë në vendin tonë. Dekani Thaqi e vlerësoi lartë këtë garë dhe punën e madhe për organizimin e saj me sukses në rajonin e Gjilanit, që po bëhet nga koordinatori i kësaj gare profesori Festim Shkodra dhe stafi tjetër i garës.
Garuesit i përshëndeti dhe ju uroi suksese edhe mysafiri dr.sc. Musa Ajeti – profesor i Universitetit Publik “Kadri Zeka” në Gjlan. Ai i inkurajoi garuesit që në vazhdimësi të marrin pjesë në këto gara të dijes, të mos e konsiderojnë të rëndë matematikën, por të mësojnë dhe ushtrojnë në vazhdimësi.
Koordinatori rajonal Festim Shkodra, duke iu uruar suksese garuesve, njëkohësisht iu tha atyre se ju të gjithë jeni fitues, sepse duke u përgatitë për këtë garë ju keni mësuar shumë gjëra të reja dhe përmes kësaj gare do të dilni shumë më të ditur. Ai iu tha garuesve, se kjo garë iu mundëson qasjen në matematikë në mënyrë më kreative, praktike dhe argëtuese. Ai i porositi garuesit që të mos stresohen nga gara, por ta marrin këtë garë si një sheti relaksuese në matematikë. Poashtu ai iu tha garuesve se jo patjetër ju duhet të bëheni matematikanë në të ardhmen, pot nëse mësoni matematikën ju do të bëheni më të suksesshëm në cilindo profesion, se sa ata që e anashkalojnë matematikën.
Ai përmendi se rëndësia e madhe e Garës Ndërkombëtare ,,Kenguri pa kufi”, qëndron edhe në faktin se ajo po i then kufijtë midis shteteve dhe midis nxënësve, sepse po ju mundëson pjesëmarrjen e lirë të të gjithëve nxënësve, pa marrë parasysh notën që kanë në këtë lëndë në shkollat prej nga vijnë. Profesori Shkodra iu tha garuesve, se sot edhe ju po merrni pjesë në këtë sfidë të dijes sikur miliona fëmijë nga tërë bota, prandaj kjo garë ka rëndësi tejet të madhe për ju dhe vendin tonë në përgjithësi. Koordinatori Shkodra tha se kjo garë ndikon pozitivisht edhe në formimin shkencor të garuesve si dhe nxitë rritjen e arritshmërisë në shkollat tona. Prandaj ai tha se nevojitet përkrahje maksimale e institucioneve komunale dhe shtetit për çdo garë të dijes, e posaçërisht për matematikë.
Testet e kësaj gare përgatiten nga një komision ndërkombëtar matematikanësh i ngritur nga Asociacioni Ndërkombëtar ,,Kenguri Pa Kufi” me seli në Paris dhe kontrollohen në mënyrë elektronike nëpër shtetet prej nga vijnë nxënësit. Problemet/detyrat në garën “Kangaroo” nuk janë probleme standarde të librave shkollorë dhe vijnë nga një larmi e madhe temash. Përveç ideve frymëzuese, këmbënguljes dhe kreativitetit, ato kërkojnë imagjinatë, aftësi themelore llogaritëse, të menduarit logjik dhe strategji të tjera për zgjidhjen e problemeve. Rezultatet e testimit të garuesve komunikohen njëkohësisht në tërë botën, pas dy muajsh. Këto rezultate nuk shpallen publikisht, por iu komunikohen nxënësve (prindërve) individualisht. Për formën, formatin dhe mënyrën e komunikimit të rezultateve individuale të testimit të garuesve në Kosovë, ata do të informohen me kohë përmes ueb faqes së Math Kangaroo Contest – Kosovo (MKC-K): www.kangaroo-ks.org dhe faqes së Facebook-ut të MKC-K. Rezultatet individuale të kësaj gare nuk shpallen publikisht, në mënyrë që të ruhet privatësia e pjesëmarrësve. Ndërsa garuesit më të suksesshëm shpallen publikisht. Të gjithë pjesëmarrësve të kësaj gare në Kosovë do t’iu jepen certifikata të njohura ndërkombëtarisht, ku pasqyrohet suksesi i arritur nga secili nxënës.
Gara “Kenguri pa kufi” ka për qëllim promovimin e matematikës dhe rëndësisë së saj në gjithë botën. Veç kësaj, Instituti ATOM e përdorë këtë garë për të identifikuar talentet e rinj në fushën e matematikës në Kosovë, në mënyrë që të ofrojë aktivitete dhe shërbime të ndryshme përkrahëse për këto talente në funksion të zhvillimit dhe avancimit maksimal të talentit, njohurisë dhe kompetencës së tyre në fushën e matematikës, posaçërisht duke iu ofruar kurse të avancuara të matematikës nga profesionistët e fushës dhe qasje në literaturë të avancuar të matematikës, në përputhje me moshën dhe talentin e tyre në matematikë. Për më të dalluarit në nivel të shtetit, do të sigurohen edhe shpërblime të ndryshme varësisht nga mundësitë.
Suksese të gjithë pjesëmarrësve të Garës Ndërkombëtare të Matematikës “Kenguri pa kufi 2024”!
Mirupafshim në garën “Kenguri pa kufi 2025”, në vitin e matematikës të shpallur në Kosovë, për nder të mbajtjes së Olimpiadës Matematike Evropiane për Vajza më 2025 në Kosovë!