ARSIMI

Në testin e dytë 400 nxënës

Në Komunën e Gjilanit, sot, sipas planifikimit të Drejtorisë Komunale të Arsimit, ka nisur të mbahet testi i maturës, faza e dytë të cilit i nënshtrohen mbi 400 nxënës, të mbikëqyrur nga administrues, monitorues dhe komisionerë, të përbërë nga MASHT-i, DKA dhe shkollat.

Gjilani ka dalë ndër komunat më të mira në këtë test, viteve të fundit. Autoritetet arsimore presin rezultate të larta edhe në këtë fazë, duke marrë për bazë edhe rezultatet e testit të parë të këtij viti për maturantët.

Me këtë rast, në vizitën që ka bërë për maturantët, nënkryetari i Komunës së Gjilanit, Rexhep Kadriu, i shoqëruar edhe nga udhëheqja dhe stafi i Drejtorisë së Arsimit, ka thënë se çdo gjë është në rregull dhe konform planifikimit të Komunës së Gjilanit konretisht të DKA-së dhe MASHT-it.

“Gjithçka ka nisur me kohë dhe sipas planifikimit që në orën dhjetë të mëngjesit. Komuna e Gjilanit dhe Drejtoria Komunale e Arsimit paraprakisht ka bërë të gjitha përgatitjet që ky proces vlerësues për nxënësit të bëhet sipas rregullave të parapara nga ministria. Në këtë fazë të testimit, të dytë me radhë për këtë vit, testit i janë nënshtruar mbi 400 nxënës”, ka thënë nënkryetari Kadriu.

Nënkryetari Kadriu ka thënë se Komuna e Gjilanit dhe politika qeverisëse e kryetarit Haziri, një theks të veçantë dhe prioritet kryesor e ka fushën e Arsimit në përgjithësi.

Kurse, drejtoresha e Arsimit Shqipe Kastrati, ka uruar nxënësit duke përgëzuar ata për suksese e arritura deri më tani dhe siç ka thënë ky test është vetëm përmbledhje e të gjitha njohurive të cilat për nxënësit janë të ditura.

“Gjatë vizitës nëpër qendrat ku është organizuar testimi, sot së bashku me stafin e drejtorisë kemi vlerësuar se çdo gjë është në rregull, me një disciplinë të lartë dhe mbykëqyrje të vazhdueshme. Uroj që të gjithë nxënësit të kenë sukses të lartë në këtë process vlerësues. Kërkohet vetëm qetësi, përkushtim dhe përqendrim gjatë testimit dhe gjithçka do të përfundoj siç është më së miri. Për këto vite është punuar shumë në ngritje të cilësisë dhe kualitetit të arsimit në përgjithësi. Të gjithë këta nxënës vetëm po përgjigjen në një test që është përmbledhës për njohurit e fituara gjatë shkollës së mesme”, ka thënë drejtoresha Kastrati.

Edhe përfaqësuesit e shumtë të Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, kanë pohuar se gjithçka është duke shkuar në rregull dhe nuk ka vërejtje, as në aspektin e organizimit, por as në aspektin e monitorimit të këtij procesi.

You Might Also Like