OPINION

Ne vazhden e perkujtimeve për bashkëqytetarët tanë të vyeshëm, Nuhi Nuhiun dhe Rifat Sylejmanin (Llashticën)!

Shkruan: Qemajl Mustafa, ish-kryetar i Gjilanit
Pas dy, respektivisht tri ditëve të ikjes në amshim të dy bashkëqytetarëve, dy miqëve e profesionistëve të komunës tonë, i kujtoj me respekt ekonomistin Nuhi Nuhiun dhe afaristin Rifat Sylejmanin (Rifat Llashticën).
Nuhiu ishte punëtor jashtëzakonisht pedant, i rregullt dhe i saktë në punë. Ishte zyrtar i mirë dhe pastaj edhe drejtor i bugjetit dhe financave të komunës tonë. Ishte dëgjues i mirë dhe diskutant i mirë përherë. E thoshte me gjuhën e duhur mirënjohjen, lavdatën por edhe kritikën ndaj secilit prej nesh dhe ndaj secilës dukuri në shoqëri. Gjatë kohës së qeverisjes me komunën tonë arritëm rezultate dhe performancë shumë të mirë me çka edhe u shpërblyem shumë herë nga USAID, nga qeveria e jonë dhe nga organizatat tjera të cilat punon ngushtë me ne.
Nuha ishte aktiv në çarkun e tij shoqëror dhe në rrjetat socialeedhe edhe pas pensionimit. Dhe nuk pushoi kurrë, deri në frymën e fundit. Me postimet e tij rikujtonte momentet dhe periudhat e renda por edhe sukseset e fshatit te tij Përlepnicës dhe te krejtë komunës tonë.
Nuha iku papritmas dhe lajmi për mungesën fizike të tij na erdhi si dush fort i ftohtë të gjithë neve që e njohëm nga afër.
Do ta kujtojmë Nuhen përherë si njërin nga qytetarët tanë të emancipuar, përherë pozitiv, të dashur e të kujdesshëm, aktiv e kontribues.
Baca Rifat Llashtica ishte figurë e njohur e biznesit të komunës tonë për së paku 50 vite me radhë. Ishte njeri dinamik, shumë kurreshtar dhe sfidues i vërtetë në fushën e tregtisë dhe përherë qëndroi mirë në konkurrencë pavarësisht egërsive që sollën periudhat e ndryshme kohore në tregun tonë dhe përgjithësisht në ekonomi që nga ish Jugosllavia e deri më sot.
Me punën e tij të pareshtur dhe të familjes së tij, dhe me relacionet e përhershme të mira me publikun e komunës e të Kosovës, e ngriti lartë emrin e kompanisë së tij “Nota Briliant” e cila ka shumë vite që është bërë kompani gjithkosovare dhe përtej Kosovës. Në këtë mënyrë ai e ngriti edhe emrin e Gjilanit prej nga ishte ky biznes që tashmë jeton suksesëshëm tri dekada e më shumë.
Baca Rifat ishte njeri fortë i mirë. Ishte qëllimëmirë dhe human përherë. I interesonin të gjitha temat por mbi të gjitha, natyrshëm, prioritet i kishte diskutimet për ekonominë.
E kishte një humor të lehtë e të mirë dhe krijonte shpejtë relacion të mirë e miqēsor me secilin.
E ndihmonte jetën shoqërore e politike të komunës tonë duke e mbajtur me finesë ekuilibrin e një afaristi i cili nuk mer anë skajshëm kah njëri ose subjekti tjetër politik.
Që të dy këto personalitete ishin dhe mbeten copëza të spikatura të identitetit qytetërues e profesional të komunës tonë andaj shpresoj që do ti kujtojmë e rikujtojmë meritueshëm dhe përherë.
Ata u prehshin në qetësinë e përjetësisë ndërsa familjeve Nuhiu dhe Sylejmani ju shprehim familjarisht e shoqërisht ngushëllimet më të sinqerta për humbjen e kryefamiljarëve të tyre të çmuar.

You Might Also Like