Nesër, e hënë, më 23 janar 2023, në Teatrin e qytetit të Gjilanit, ora 20:00, do të hapet zyrtarisht Festivali i Dramës Shqipe “Talia e Flakës 2023”, festival ky që edhe këtë vit, për herë të dytë radhazi organizohet nga Organizata Joqeveritare Kulturore “VARG E VI”, pas thirrjes publike nga Komuna e Gjilanit. “Talia e Flakës” do të jetë prej 23-28 janar, ku për çdo natë, do të ketë shfaqje nga teatrot e Kosovës, Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut. Pas çdo shfaqjeje, do të ketë debat nga dy panelistë në këndvështrimin dramaturgjik dhe sociologjik, në të cilin debat do të përfshihet edhe publiku i gjerë bashkë me përfaqësuesin e shfaqjes gjegjëse.
Hyrja për çdo shfaqje do të jetë me bileta, të cilat merren falas paraprakisht në shtëpizën prej druri TALIA INFO përballë Teatrit të qytetit, nga ora 12:00 deri në orën e hapjes zyrtare të shfaqjes për çdo ditë sa zgjatë festivali. Për shkak të kërkesave të mëdha, hyrjes falas, mungesës së digjitalizimit të teatrit dhe në dispozicion për publikun, vetëm të 296 ulëseve në sallën e kuqe të Teatrit të qytetit, organizatorët janë detyruar të vendosin disa rregulla për të ruajtur rendin dhe qetësinë e nevojshme për shfaqjet e festivalit garues. Në këtë edicion që mbështetet tradicionalisht nga Komuna e Gjilanit dhe Ministria për Kulturë, Rini dhe Sport, do të ndahen pesë çmime: teksti më i mirë, shfaqja më e mirë, regjia më e mirë, inovacioni më i mirë teatror dhe roli më i mirë. Juria do të jetë e përbërë nga profesionistë të dramës, teatrit, si dhe një artdashës që përcjellë për shumë vjet shfaqjet teatrore, për të dhënë edhe vlerësime nga këndvështrimi i publikut, si risi konceptuale e festivalit nga Varg e Vi. Në festival janë angazhuar edhe vullnetarët nga “Zëri Rinor Gjilan”, të cilët do të asistojnë si staf në secilin aktivitet të “Talias së Flakës” (teatër, debat & aheng), e sidomos në ndarjen e biletave në shtëpizën “Talia Info”.
Programi qendror “Talia e Flakës 2023”, edicioni i 32-të i “Flakës së Janarit”, ka këto shfaqje, me këtë orar:
- “Fausti”, 23 janar, e hënë, 20:00
- “Nyjat”, 24 janar, e martë, 20:00
- “Toka e shpirtrave të trazuar”, 25 janar, e mërkurë, 20:00
- “Burrnesha”, 26 janar, e enjte, 18:00 & 20:00
- “Babai dhe babai”, 27 janar, e premte, 21:00
- “Pak pakt”, 28 janar, e shtunë, 20:00
- Vendi: Teatri i qytetit – Gjilan
- Debat 45 minutësh pas çdo shfaqjeje: Bufeja e Teatrit
- Aheng & muzikë pas çdo debati: Pep’s Taverna (përballë Stacionit të Policisë)
- Rezervimi i biletës bëhet vetëm fizikisht, vetëm për veten dhe për një person tjetër (më së shumti dy bileta), vetëm për një shfaqje, prej orës 12:00 deri në orën e hapjes së shfaqjes, te shtëpiza e Talia Info 2023 (përballë Teatrit).
Mirë se vini!
Me respekt,
Varg e Vi – Organizatore e “Talias së Flakës 2023”