Futboll

Nesër mblidhet kryesia e SC Gjilani do të bëjnë analizë të thellë

Pas humbjes në mesjavë nga Arbëria (1:0), skuadra e Gjilanit nuk ka arritur të këndellet as këtë fundjavë.

Djelmoshat që drejtohen nga Gentjan Mezani pësuan humbje të hidhur nga Drita në “Derbin e Anamoravës” i cili u zhvillua sot.

Ndeshjen në fjalë Gjilani ishte duke e fituar me rezultat 2:1 deri në minutat e fundit të takimit, por Drita u rikthye fuqishëm duke shënuar dy gola dhe duke e fituar ndeshjen me rezultat 3:2.

Pas kësaj ndeshje, klubi i Gjilanit mund të marrë masa.

Në lidhje me këtë, “Zeri.info” e ka kontaktuar drejtorin e Gjilanit, Sevdail Robelli.

Robelli ka deklaruar se nesër do të ketë një takim mes drejtuesve të klubit, ku do të analizohet gjithçka, duke përfshirë edhe ndeshjen e sotme.

“Nesër e kemi një takim në kryesi, dhe do të analizojmë ndeshjen dhe gjithçka tjetër”, ka thënë shkurtimisht Robelli.

Me humbjen e sotme, Gjilani ndodhet në vendin e katërt në tabelë me 23 pikë të tubuara pas 14 ndeshjeve.

 

You Might Also Like