Gjilan

Nuk ka kuorum, dështon seanca e Asamblesë Komunale të Gjilanit

Në mungesë kuorumi, ndërpritet sërish seanca e sotme Kuvendit Komunal të Gjilanit

Gjilan, 29 maj 2023 – Kuvendi Komunal i Gjilanit, në mungesë kuorumi, ka ndërprerë sërish seancën e sotme, për të tretën herë radhazi, pas diskutimit për anulimin e tri vendimeve të mëhershme, që kanë të bëjnë me plotësimin dhe ndryshimin e kushteve ndërtimore në nënzonën e Bllokut “B3” në kuadër të Planit Rregullues Urban “Kodra e Thatë”, në zonën e Bllokut “B4” në kuadër të Planit Rregullues Urban “Kodra e Thatë” dhe në zonën e Bllokut “I” në kuadër të Planit Rregullues Urban “Livadhet e Arapit”, të cilat i ka arsyetuar kryetari i Komunës, Alban Hyseni.

“Sot është mundësia që këta asambleistë që janë në seancë të votojnë për ligjshmërinë, për të drejtën dhe për atë që duhet të anulohet sepse është e kundërligjshme, të votojnë kundër interesave individuale dhe grupore dhe të tregojnë se pse qytetarët duhet t’i besojë Kuvendit Komunal”, ka thënë paraprakisht kryetari Hyseni.

Shfuqizimin e këtyre vendimeve e ka kundërshtuar opozita (LDK), me arsyetimin se nuk ka asnjë arsye për t’i anuluar, ndërkaq partneri i koalicionit (PDK) tha se e përkrahin në parim shfuqizimin e  vendimeve të kundërligjshme, por ka kërkuar më shumë kohë e konsullta për këtë pikë. Opozita (LDK, Vatra) e lëshoi sallën, ndërkaq asambleistët e PDK-së nuk u kthyen në sallën e mbledhjeve pas pauzës.

Pos shfuqizimit të tri vendimeve të mëhershme që kanë të bëjnë me plotësimin dhe ndryshimin e kushteve ndërtimore, në këtë seancë ka qenë e paraparë që të diskutohet dhe miratohet edhe Plani Komunal per Integritet 2023/2027, Projekt Statuti i Teatrit të Qytetit, Projekt Statuti i Galerisë së Arteve, Projekt Rregullorja për shfrytëzimin e sallës së madhe të Teatrit të Qytetit, Projekt Rregullorja për punën e Këshillit Drejtues të Teatrit të Qytetit e Projekt Plani Lokal i Veprimit në Mjedis 2020-2024.

Po ashtu, në këtë mbledhje ishte e paraparë të diskutohet dhe miratohet edhe propozim vendimi për ndryshimin dhe plotësimin e vendimit për subvencionimin e lehonave, personave me aftësi të kufizuar, bizneseve me pronare gra, bizneseve Start Up për të rinj dhe praktikantëve, sikurse edhe propozim vendimi për zgjerimin e veprimtarisë në kuadër të NPL Tregu, në fushën e mirëmbajtjes së hapësirave publike.

Ndryshe, kryesuesi i Kuvendit Komunal, Arianit Sadiku, tha se mbledhja e pestë shtyhet për një datë tjetër, për të cilën publiku do të njoftohet me kohë.

—————————————

Seanca e Kuvendit Komunal është transmetuar drejtpërdrejt në formatin livestream në ëebfaqe dhe në faqen zyrtare të Komunës në Facebook.

You Might Also Like