Hulumtim mbi efektet administrative, demografike, politike dhe diskriminuese ndaj shqiptarëve etnikë dhe autoktonë në Serbi
Shkruan: Refik HASANI
Pasivizimi, fshirja ose pezullimi i adresave të banimit të qytetarëve shqiptarë në Krahinën e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit është bërë një çështje tepër serioze e të drejtave themelore të njeriut, të drejtave kolektive, sundimit të ligjit dhe funksionimit demokratik të institucioneve.
Kjo praktikë nuk duhet parë vetëm si një çështje teknike apo administrative, kur zbatimi i saj prek në mënyrë të veçantë shqiptarët etnikë dhe autoktonë, të cilët janë përballur dhe vazhdojnë të përballen me vështirësi të shumta. Tani jemi në procese të bazuara për të kundërshtuar vendimet administrative për pasivizimin, kështu që lind një shqetësim i ligjshëm për diskriminimin dhe cenimin e ushtrimit efektiv të të drejtave themelore dhe kolektive të shqiptarëve në Serbi.
Pasivizimi si shqetësim serioz për të drejtat e shqiptarëve
Si pasojë e gjithë këtij spastrimi etnik – apo, më saktë, diskriminimi që quhet pasivizim – bazuar në hulumtimin dhe në Ligjin mbi vendbanimin dhe vendqëndrimin (“Gazeta Zyrtare e RS”), nr. 87/2011, i cili po vazhdon të zbatohet në mënyrë selektive dhe diskriminuese, duke targetuar vetëm shqiptarët etnikë dhe autoktonë në Serbi, kërkohet nga BE-ja që të ndalojë këto praktika margjinalizuese dhe diskriminuese dhe të ushtrojë trysni që ky ligj të ndryshohet brenda kësaj legjislature të Parlamentit të Serbisë, pasi, sipas këtij qëndrimi, ai është në kundërshtim me aktet dhe konventat evropiane dhe ndërkombëtare.
Kjo praktikë nuk duhet kuptuar dhe trajtuar thjesht si një procedurë administrative për verifikimin e vendbanimit. Serbia po e zbaton pasivizimin në mënyrë të njëanshme dhe disproporcionale, ose pa mundësi efektive për kundërshtim ligjor. Në shumë raste, personave të pasivizuar nuk u lëshohen fare vendime për pasivizimin e adresave.
Kjo prodhon pasoja të drejtpërdrejta mbi mundësinë e ushtrimit të të drejtave civile, politike, sociale dhe ekonomike të qytetarëve shqiptarë etnikë dhe autoktonë në Krahinën e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës, si dhe gjithandej në Serbi. Pikërisht për këtë arsye, çështja e pasivizimit të adresave në këtë Krahinë kërkon vëmendje të shtuar nga institucionet evropiane dhe mekanizmat ndërkombëtarë për mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe të drejtave kolektive.
Pasivizimi i adresave dhe i vendbanimit ka rëndësi të madhe në marrëdhëniet e qytetarit me administratën publike dhe në ushtrimin praktik të një sërë të drejtash. Kur një qytetari i pasivizohet adresa, mund të shfaqen pengesa serioze në dokumentacionin personal, në dëshmimin e vendbanimit, në ushtrimin e të drejtës së votës dhe në procedura të tjera administrative.
Sa është numri i shqiptarëve të pasivizuar?
Sa është numri i qytetarëve shqiptarë etnikë dhe autoktonë në Krahinën e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës, si dhe gjithandej Serbisë, të cilëve u është pasivizuar adresa, dhe cili është numri i tyre në raport me shtetasit e tjerë në Serbi?
Numri i të pasivizuarve nuk dihet zyrtarisht, pasi ekziston një mungesë e theksuar e transparencës dhe e qasjes në një statistikë zyrtare të publikuar.
Bazuar në shënime dhe statistika jo të verifikuara saktësisht, del konstatimi, i mbështetur në disa të dhëna nga shoqatat shqiptare që janë marrë aktivisht me pasivizimin, se çdo i katërti shtetas i Serbisë që i përket nacionalitetit shqiptar nga komunat e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit është i pasivizuar.
Shprehur në numër, bëhet fjalë për mbi 25 mijë qytetarë shqiptarë të cilëve u janë pasivizuar adresat.
Kur kësaj i shtojmë edhe shqiptarët etnikë dhe autoktonë që jetojnë jashtë këtyre tri komunave, del se numri i shtetasve të Serbisë me përkatësi nacionale shqiptare, të cilëve u është pasivizuar adresa, mund të jetë mbi 50–70 mijë.
Sipas këtij qëndrimi, ata janë fshirë nga regjistrat civilë dhe janë pasivizuar në kuptimin administrativ, duke humbur mundësinë e ushtrimit të një sërë të drejtash.
Me pasivizimin e adresave, si një formë e spastrimit etnik përmes mjeteve administrative, më së shumti është prekur Komuna e Medvegjës. Sipas të dhënave të paraqitura, rezulton se 85 për qind e shqiptarëve janë pasivizuar në Komunën e Medvegjës, ndërsa në Bashkësinë Lokale të Zarbicës dhe në Bashkësinë Lokale të Muhocit rezulton se mbi 80 për qind e shqiptarëve janë pasivizuar në këto dy bashkësi lokale, të njohura si Malësia e Bujanocit.
Pasivizimi rrezikon përfaqësimin proporcional dhe demokratik të shqiptarëve në Serbi
Një nga aspektet më shqetësuese është ndikimi i mundshëm i pasivizimit mbi pjesëmarrjen politike të shqiptarëve, për të ushtruar të drejtën ligjore të votës dhe për të qenë të votuar.
Nëse qytetarët e regjistruar më parë në një komunë nuk figurojnë më me adresë aktive dhe kjo ndikon në regjistrimin ose ushtrimin e të drejtës së votës, atëherë pasojat nuk janë më vetëm individuale; ato kalojnë dhe bëhen edhe kolektive. Ndër pasojat mund të jenë:
A. Zvogëlimi artificial i popullsisë;
B. Ndikimi në shpërndarjen e burimeve dhe buxheteve publike, si dhe në buxhet dhe investime;
C. Rrezikimi i përdorimit të gjuhës dhe simboleve;
D. Ndikimi në pjesëmarrjen në zgjedhjet lokale, në Këshillin Kombëtar Shqiptar dhe në zgjedhjet parlamentare;
E. Ndikimi në përfaqësimin proporcional në Polici, Gjykatë, Prokurori dhe institucione lokale e qendrore;
F. Ndikimi në vendimmarrje dhe në peshën institucionale të shqiptarëve etnikë dhe autoktonë.
Për këtë arsye, duhet të ketë transparencë përmes një statistike zyrtare dhe të dokumentuar mbi ndryshimet në numrin e qytetarëve me adresë aktive dhe ndikimin e tyre në proceset zgjedhore dhe institucionale.
Çështja e pronës dhe e të drejtave pasurore që barten dhe trashëgohen
Çështja e pronës dhe e trashëgimisë paraqet vështirësi të larta administrative. Ajo prek dokumentacionin personal, dëshmimin e vendbanimit apo qasjen në procedura administrative dhe mund të krijojë probleme serioze praktike për qytetarët në ushtrimin dhe mbrojtjen e të drejtave të tyre që trashëgohen dhe barten.
Pasivizimi i adresës duhet kuptuar dhe shqyrtuar edhe nga ky prizëm. Prandaj, është e domosdoshme që institucionet të publikojnë dhe të garantojnë se pasivizimi i adresës nuk përdoret në mënyrë që qytetarëve t’u krijohen pengesa të pajustifikuara në mbrojtjen dhe ushtrimin e të drejtave të tyre pronësore dhe të trashëguara.
Përmes heshtjes administrative, Serbia rrezikon shpopullimin e shqiptarëve si një formë e spastrimit etnik dhe diskriminimit
Bashkimi Evropian do të duhej të kuptonte se pasivizimi i adresave është duke prodhuar një efekt të prekshëm, në atë mënyrë që qytetarët shqiptarë etnikë dhe autoktonë po largohen në heshtje dhe administrativisht nga vendbanimet dhe lokalitetet e tyre, edhe atëherë kur ata vazhdojnë të kenë lidhje reale me këto vendbanime.
Një praktikë e tillë po zhvillohet në përmasa të mëdha dhe po prek e dëmton kryesisht shqiptarët në Serbi. Kjo ngre domosdoshmërinë për të hetuar nëse kemi të bëjmë me një mekanizëm shtetëror që, drejtpërdrejt ose tërthorazi, kontribuon në dobësimin demografik, politik dhe institucional të shqiptarëve etnikë dhe autoktonë.
Prandaj, termi “shpopullim administrativ”, i quajtur në gjuhën zyrtare “pasivizim i adresave”, meriton vëmendje të veçantë, pasi paraqet një shqetësim serioz.
Shqiptarët e Krahinës së Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit po kërkojnë realizimin e së drejtës që çdo procedurë administrative të zbatohet në mënyrë të barabartë, transparente dhe jodiskriminuese.
Mbështetur në pretendimin se çdo i katërti shtetas i Serbisë që i përket nacionalitetit shqiptar nga Krahina e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit është i pasivizuar, apo, shprehur në numër, se janë mbi 25 mijë qytetarë shqiptarë të cilëve u janë pasivizuar adresat, ky numër tregon përmasën e problemit të humbjes së statusit aktiv të adresës.
Si rrjedhojë e pasivizimit të adresave, po përballemi me pengesa në dokumentacion, në pjesëmarrjen politike apo në marrëdhëniet me institucionet publike. Prandaj lind nevoja për një hetim të pavarur.
Nuk mjafton që një praktikë të jetë e parashikuar formalisht me ligj. Ajo duhet të jetë edhe në përputhje me parimet e barazisë, proporcionalitetit, sigurisë juridike dhe mosdiskriminimit, të cilat janë të zbatueshme edhe në kuadër të standardeve evropiane.
Mbi arbitraritetin dhe jotransparencën si proces i pasivizimit të adresave kanë trajtuar çështjen edhe Këshilli për Mbrojtjen e Lirive dhe të Drejtave të Njeriut dhe Këshilli Kombëtar Shqiptar. Në bazë të grumbullimit të emrave është krijuar dhe punuar një regjistër, si bazë të dhënash dhe statistikë e përafërt, ku janë evidentuar, mbi bazën e vullnetit të secilit, emrat dhe mbiemrat, si dhe shënime përkatëse mbi personat e pasivizuar.
Pasojat e pasivizimit të adresave mbi qytetarët shqiptarë etnikë
Një qytetar që përballet me pasivizimin e adresës mund të hasë vështirësi në marrëdhëniet e tij me institucionet shtetërore. Ndër pasojat që duhet të analizohen me kujdes janë:
- Vështirësitë në pajisjen ose përditësimin e dokumenteve personale;
- Pengesat në dëshmimin e vendbanimit;
- Ndikimi mbi regjistrimin në listat zgjedhore dhe ushtrimin e të drejtës së votës;
- Vështirësitë në procedurat administrative dhe juridike;
- Ndikimi i mundshëm në qasjen në shërbime publike dhe sociale;
- Pasojat në marrëdhëniet pronësore dhe në procedurat që kërkojnë dëshmimin e statusit dhe adresës së banimit;
- Pamundësia për të ushtruar të drejta që lidhen me pronësinë dhe punësimin;
- Problemet me lirinë e lëvizjes etj.
Këto pasoja duhet të shqyrtohen rast pas rasti dhe në përputhje me legjislacionin në fuqi.
Pasi pasivizimi është duke prekur në mënyrë disproporcionale vetëm shqiptarët etnikë dhe autoktonë, si një etnikum i caktuar, atëherë, sipas këtij qëndrimi, kemi të bëjmë me një diskriminim shumë më të gjerë sesa një procedurë administrative.
Serbia i bart përgjegjësitë për pasivizimin e adresave mbi qytetarët shqiptarë etnikë
Pasivizimi i adresave ka ndikuar gjithashtu në zvogëlimin e përfaqësimit të shqiptarëve në institucionet lokale, duke sjellë një përkeqësim të dukshëm të situatës demografike dhe shoqërore në rajon. Ai ka krijuar një ambient pasigurie për shumë individë dhe familje shqiptare, të cilët janë privuar nga mundësia e pjesëmarrjes në jetën publike dhe politike.
Sipas këtij vështrimi, pasivizimi ka për qëllim të reduktojë ndikimin e pakicës shqiptare në Serbi.
Pasivizimi i adresave cilësohet si një mjet që ndihmon në arritjen e qëllimeve politike të autoriteteve serbe për të kontrolluar dhe për të ndryshuar përbërjen etnike të këtyre tri komunave.
Republika e Serbisë duhet të sigurojë që të gjitha procedurat administrative të jenë transparente, të kontrollueshme dhe të zbatohen njësoj ndaj të gjithë qytetarëve, pa dallim të përkatësisë etnike.
Çdo qytetar duhet të ketë të drejtë:
- Të informohet për arsyen e pasivizimit;
- Të ketë qasje në vendimin administrativ;
- Të ketë të drejtë ankimi dhe shqyrtimi gjyqësor efektiv në të gjitha instancat gjyqësore;
- Të ketë trajtim me prioritet të lëndëve dhe trajtim të barabartë;
- Të sigurojë që vendbanimi i tij real të merret seriozisht në procedurat administrative.
Pa këto garanci, krijohet pasiguri juridike dhe dobësohet besimi i qytetarëve në institucionet shtetërore.
Bashkimi Evropian ka përgjegjësi mbi pasivizimin e adresave të qytetarëve shqiptarë etnikë në Serbi
Bashkimi Evropian nuk duhet ta trajtojë këtë çështje vetëm si një problem të brendshëm administrativ të Serbisë.
Respektimi i të drejtave të njeriut, respektimi i të drejtave kolektive, sundimi i ligjit, luftimi i arbitraritetit dhe jotransparencës në procesin e pasivizimit të adresave, mosdiskriminimi dhe mbrojtja efektive e pakicave kombëtare janë pjesë e standardeve evropiane.
Prandaj, institucionet e Bashkimit Evropian duhet të kërkojnë nga autoritetet më të larta serbe:
- Publikimin e të dhënave të plota për numrin e adresave të pasivizuara në Krahinën e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit;
- Transparencë mbi kriteret dhe procedurat e përdorura për pasivizim;
- Analizë të ndikimit të kësaj praktike mbi shqiptarët etnikë dhe autoktonë;
- Sigurimin e mjeteve efektive juridike për qytetarët e prekur;
- Monitorim të pavarur të zbatimit të kësaj procedure;
- Dialog të drejtpërdrejtë me përfaqësuesit e shqiptarëve në Krahinën e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit.
Krahina e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit nuk është një çështje e brendshme e Serbisë, por i përket Evropës
Çështja e shqiptarëve etnikë dhe autoktonë të Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit nuk duhet parë vetëm përmes prizmit të politikës së brendshme të Serbisë.
Përmes kësaj trajtese të hulumtuar, shfrytëzoj rastin të apeloj, meqë tani informacionet themelore dhe të nevojshme i posedon BE-ja, pasi është alarmuar dhe sinjalizuar, që të ndërmarrë veprime konkrete dhe emergjente.
Duhet të ngrihet një komision i ngarkuar për hetimin e pasivizimit, të ndalohen menjëherë këto praktika diskriminuese dhe të ofrohen mundësi për hetime të pavarura dhe transparente, duke siguruar dhe garantuar paraqitjen e numrit të saktë të personave të pasivizuar.
Jo standarde të dyfishta
Bashkimi Evropian nuk mund të ketë standarde të ndryshme kur bëhet fjalë për të drejtat e komuniteteve. Nëse kërkon respektimin e të drejtave të një komuniteti në një pjesë të rajonit, të njëjtat parime duhet të zbatohen edhe për shqiptarët etnikë dhe autoktonë në Krahinën e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit.
Të drejtat e njeriut nuk mund të varen nga përkatësia etnike, nga vendndodhja gjeografike apo nga interesat politike të momentit.
Një Evropë e bazuar në sundimin e ligjit duhet të jetë konsistente në mbrojtjen e të drejtave të të gjitha komuniteteve. Ajo lidhet drejtpërdrejt me parimet evropiane të demokracisë, të drejtave të njeriut, mbrojtjes së pakicave dhe sundimit të ligjit.
Për këtë arsye, Bashkimi Evropian duhet të tregojë interes të veçantë dhe të kërkojë të dhëna të verifikueshme, transparencë dhe përgjegjësi institucionale.
Pasivizimi i adresave në Krahinën e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit, si dhe gjithandej në Serbi, nuk duhet të trajtohet thjesht si një procedurë administrative. Pasi zbatimi i tij, sipas këtij vështrimi, prek në mënyrë disproporcionale shqiptarët etnikë dhe autoktonë, ai cenon jo vetëm të drejtat individuale të qytetarëve – si të drejtën për pjesëmarrje politike dhe qasje efektive në shërbime publike – por edhe të drejtat kolektive të shqiptarëve të kësaj Krahine.
Kjo ndikon në përfaqësimin politik, strukturën demografike dhe realizimin e barabartë të të drejtave proporcionale.
Për këtë arsye, pasivizimi duhet t’i nënshtrohet një kontrolli të plotë dhe të paanshëm të ligjshmërisë, proporcionalitetit, transparencës, monitorimit ndërkombëtar dhe mosdiskriminimit.
Nuk duhet të mjaftohemi me deklarata politike. BE-ja do të duhej të kërkonte zyrtarisht nga Serbia të dhëna dhe përgjigje për çështjet e mëposhtme:
A. Sa shtetasve të Serbisë, në përgjithësi, u është pasivizuar adresa?
B. Sa shtetasve të Serbisë me nacionalitet shqiptar u është pasivizuar adresa?
C. Sa është përpjesëtimi i qytetarëve shqiptarë në raport me nacionalitetet e tjera në Serbi?
D. Cila është pasqyra sipas vendbanimeve dhe lokaliteteve e qytetarëve të cilëve u është pasivizuar adresa?
E. Mbi çfarë kriteresh janë pasivizuar adresat?
F. Sa qytetarë, sipas përkatësisë nacionale, kanë parashtruar ankimim te Institucioni i Avokatit të Popullit, kanë apeluar në Gjykatën Supreme, Gjykatën Kushtetuese apo në Gjykatën e Strasburgut?
G. Sa vendime janë rrëzuar nga instancat gjyqësore?
Çfarë ndikimi ka pasur kjo praktikë në listat zgjedhore dhe në përfaqësimin proporcional?
Dhe, mbi të gjitha:
A po zbatohet kjo praktikë në mënyrë të barabartë ndaj të gjithë qytetarëve, apo po prodhon një efekt disproporcional ndaj shqiptarëve të Krahinës së Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit?
Kështu, Serbia duhet të japë përgjegjësi për këto veprime, të gjithë personave të pasivizuar t’u kthehen adresat brenda këtij viti kalendarik dhe të kompensohen për dëmet e shkaktuara gjatë këtyre viteve.
Pastrimi etnik përmes pasivizimit, sipas këtij qëndrimi, përbën diskriminim klasik dhe po ndryshon strukturën etnike. Ai paraqitet si formë e legalizimit të spastrimit etnik dhe si shkelje në kundërshtim me dispozitat ligjore ndërkombëtare.
Shqiptarët e Krahinës së Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit nuk kërkojnë privilegje; kërkojnë barazi para ligjit, siguri juridike, mbrojtje të të drejtave individuale dhe kolektive dhe trajtim të barabartë me çdo qytetar tjetër.
Këto janë standarde themelore të një shoqërie demokratike dhe të një Evrope që pretendon se respekton të drejtat e njeriut dhe të drejtat kolektive.
Më 3 shtator 2026
Duke përdorur një qasje studimore, ky vështrim argumenton se veprimi i Serbisë prodhon efekte të dëmshme dhe përbën, sipas autorit, shkelje të të drejtave dhe lirive themelore të njeriut. Prandaj, me të drejtë ngrihet konstatimi se kemi të bëjmë me një spastrim etnik dhe diskriminim sistematik.
Autori, përveç këtij vështrimi, ka realizuar edhe një studim më të gjerë mbi pasivizimin e adresave si një formë e spastrimit etnik dhe diskriminimit, i prezantuar në trajtesa dhe kumtesa shkencore. Vështrimi përfshin referenca kredibile për temën e trajtuar, të cilat janë edhe burimet kryesore të hulumtimit mbi pasivizimin e adresave për shqiptarët e Krahinës së Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit.
Referencat
[1] Ligji mbi vendbanimin dhe vendqëndrimin e qytetarëve: “Gazeta Zyrtare e Republikës së Serbisë”, nr. 87/2011.
[2] Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut; Deklarata Universale për të Drejtat e Njeriut; Konventa Evropiane për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive Themelore të Njeriut dhe protokollet e saj; Konventa Ndërkombëtare për të Drejtat Civile dhe Politike dhe protokollet e saj; Konventa Kornizë e Këshillit të Evropës për Mbrojtjen e Pakicave Kombëtare; Konventa për të Drejtat e Fëmijës; Konventa për Eliminimin e të Gjitha Formave të Diskriminimit Racor.
[3] Ligji për Administratën Shtetërore (“Sl. Glasnik R. Srbije”, nr. 79/05 dhe 10/07).
[4] Pasivizimi – burim i të dhënave dhe dokumentimit mbi pasivizimin e adresave.
[5] Ligji për Ministritë e Republikës së Serbisë (“Sl. Glasnik R. Srbije”, nr. 16/11).
[6] Ligji për Procedurën e Përgjithshme Administrative (“Sl. Glasnik R. Srbije”, nr. 18/16).
