ARSIMI

PËRCAKTOHET EKIPI I KOSOVËS PËR PJESËMARRJE NË OLIMPIADËN MATEMATIKE NDËRKOMBËTARE – IMO 2018, QË DO TË MBAHET NË RUMANI

 Shkruan: Festim Shkodra – profesor i matematikës
Në bazë të suksesit të treguar në Testin Seleksionues – TST 2018, të organizuar nga SHMK (Shoqata e Matematikanëve të Kosovës) më 24.03.2018 në Prishtinë, u përcaktua ekipi 6 anëtarësh që do të përfaqësoj Republikën e Kosovës në Olimpiadën e 59-të Ndërkombëtare të Matematikës – IMO 2018 në Rumani. Ky ekip do të përbëhet nga nxënësit:
1. LEART AJVAZAJ
2. VIKTOR AHMETI
3. DUART NISHIFCI
4. URIM HOXHA
5. DIN DEDAQI
6. BARDH OSMANI
Ku gjysma e këtij ekipi do të përbëhet nga gjilanasit, që aktualisht janë nxënës në Gjimnazin e Specializuar Matematikor në Prishtinë dhe Kolegjin “Mehmet Akif” në Lipjan. Ata treguan rezultate të larta në këtë test, ku Leart Ajvazaj zuri vendin e parë, Viktor Ahmeti të dytin dhe Bardh Osmani të gjashtin.
Testit TST 2018, iu nënshtruan fituesit e të gjitha klasave IX – XII nga Olimpiada Matematike e Kosovës – OMK 2018, të mbajtur më 27.01.2018 në Prishtinë. Ky test ishte i njëjtë për të gjithë këta nxënës, pa marrë parasysh klasën që vijojnë. OMK 2018 u organizua nga SHMK dhe sivjet organizimi i saj u përkrah materialisht nga Instituti Atomi në Prishtinë. Ky institut iu mundësoi fituesve të OMK 2018, edhe një përgatitje të veçantë para TST 2018. Poashtu ky institut sivjet, sikur edhe vitin e kaluar do të vazhdoj t’i ofroj përkrahje edhe ekipit të caktuar shtetëror të Kosovës, që do të marrë pjesë në IMO 2018 në Rumani, përmes organizimit të kurseve përgatitore si dhe sigurimit të literaturës përkatëse për ta. Por edhe institucionet shtetërore do të duhej t’i përkrahnin në masë sa më të madhe këto organizime të dijes si dhe fituesit e tyre. Sepse përkrahja e tyre është investim tejet domethënës edhe në vetë zhvillimin e shtetit tonë.
I dëshirojmë shumë suksese ekipit përfaqësues të Republikës së Kosovës, në Olimpiadën e 59-të Ndërkombëtare të Matematikës – IMO 2018, që sivjet do të mbahet më 3-14.07.2018 në qytetin Cluj-Napoca të Rumanisë, ku anëtarët e ekipit tonë do të jenë ambasadorët tanë më të mirë, në mesin e rreth 110 shteteve pjesëmarrëse nga e tërë bota, gjatë atyre ditëve.
Suksese!…

You Might Also Like