Libri

POEMA “SKËNDERBEU” E BEQIR MUSLIUT

 Sabit Rrustemi

Shkrimtari ynë i shquar që tashmë prej 22 vite e gjysmë prehet në amshim, Beqir Musliu, ishte vetëm 18 vjeçar kur nisi ta shkruaj poemën që sot njihet nën titullin “Skënderbeu”.

Nga shtatë dorëshkrimet e mbetura të gatshme për botim, kjo ishte njëra prej tyre. Në fund të poemës, pas pjesës përmbyllëse “Post Scriptum”, ( GJILAN – PRISHTINË, 1963 – 1968 ), faqe 102.
Pesë vitet e asaj kohe, ishin vitet më të bujshme për Kosovën e shtypur që lëngonte nën thundrën e UDB-s rankoviuqiane të ish Jugasllavisë titiste.
Viktimë e kësaj dhune sistematike shtetëre ishte dhe vetë autori i kësaj poeme, e cila do të përmbyllej më 1968, vit i rilindjes së madhe të shqiptarëve të Kosovës, kur po shënohej 500 vjetori i kalimit në amshim të kryeheroit shqiptar – Skënderbeut, me demonstrime masive rrugëve të Prishtinës, pas të cilave, flamuri kuq e zi u zyrtarizua si flamur kombëtar, Universiteti i Prishtinës, pastaj Kushtetuta e vitit 1974 etj.
Në këtë 500 vjetor,pra para 50 vitesh, revista letrare “Jeta e Re”, përmes NGB “Rilidnja” ia botoi Beqir Musliut vëllimin poetik me titull KUNORË SONETESH, që ishte vetëm një pjesë e poemës së plotë e cila u botua si e tërë tetë vite pas vdekjes së autorit, më 2004, nga Shtëpia botuese “Faik Konica”, bashkë edhe me gjashtë tituj tjerë, të cilat u mbështetën finaciarisht nga MKRS dhe Komuna e Gjilanit.
Viti 2018, i pagëzuar në nivel kombëtar si “Vit i Skënderbeut” e riaktualizon këtë poemë të hershme të autorit. Dhe, jo rastësisht, Ars Clubi “Beqir Musliu” e bën pjesë të Tryezës letrare në edicionin e nëntë të Manifestimit VJESHTA LETRARE E GJILANIT… sepse ka çka të thuhet për të dhe, jo vetëm për të.
Nëse e parafrazojmë vargun e fundit të kësaj poeme, duke u frymëzuar me emrin e Skënderbeut, ne e shëruam sëmundjen tonë – robërinë dhe sot, e gëzojmë lirinë. …
Për më shumë rreth kësaj poeme, do të flasin studiues të shquar nga Prishtina, Shkupi, Tirana e nga qytete tjera shqiptare.
Sepse, edhe pas 550 vjetës, Skënderbeu vetëm sa shpërfaqet edhe më madhështor, pikërisht si në vargjet e kësaj poeme, që fatmirësisht nuk ishte e as nuk mbeti e vetmja, në Kosovë, përkundër faktit se si e tillë, këtu ishte dhe mbetet e para …

(Sabit Rrustemi )

You Might Also Like