Libri

Ramadani – lexues i pasionuar i gazetave dhe veprave letrare

Gjilan, 9 shtator 2018

Gati çdo ditë Ramadan Kryeziu, tash në pension, vjen për të pirë kafe tek hoteli “Kristal” në Gjilan. Vjen dhe i pëlqen ky vend. Ulet për të pushuar me shokë. Por, asnjë nga qytetarët tjerë nuk ka ndonjë gazetë me vete. I vetmi është Dani që vjen këtu dhe me vete bart një gazetë për lexim. Është lexues i pasionuar i gazetës“Bota sot”, por edhe i gazetave tjera. Pse jo? Thotë se, nga koha kur ishte nxënës i shkollës së mesme, në Roganë, kam qenë adhurues i gazetave. Atë kohë, ai ka lexuar rregullisht gazetën e njohur shqipe “Rilindja”. Ky lexues, gjer para pak kohe, ka qenë polic, tash është pensionuar dhe po e ndjen vetën “mirë”. Është nga Rogana e Kamenicës. Tash e sa kohë jeton me familje në Gjilan. Jeta e tij është pak më ndryshe se e të tjerëve. Nuk pi duhan as pije alkoolike, por kohën e lirë e kalon duke lexuar gazeta e libra. Jo vetëm kaq.

Më parë , Dani ka punuar si polic i rregullt në Gjilan. Ai tash e sa kohë është në pension. Jeta e tij është një tregim në vete. Ai e ka një jetë “tjetër” nga të tjerët. Nuk është më me uniformë polici, por është qytetar i rëndomtë që ka moshë. E adhuron qytetin, Gjilanin. Dani thotë se, ky qytet është qendër jo vetëm komunale, por është qendër që kanë gravituar shumë banorë të Karadakut e të Gollakut.

“Shihni, shton Dani, – unë e kam kryer një detyrë, e cila ka qenë me përgjegjësi. Në këtë detyrë jam pensionuar. Sot jam i lirë dhe po e kaloj kohën me njerëz të afërm e me kolegë e familjarë. Njeriu ka nevojë për njëri-tjetrin. Por, unë e kam një pasion më të veçantë në jetë. E dua librin, gazetën… Banoj afër një qoshku gazetash, ku ekspozohen gazeta e sende tjera. Aty çdo ditë afrohem dhe i blej gazetat që më pëlqejnë. I lexoj dhe i ruaj. Jam një koleksionar i këtyre gazetave. Më ka ngjarë që kur jam afruar në mëngjez ta blej gazetën, më kanë kthyer duke më thënë se ato nuk kanë ardhur. Dy a tri herë më është dashur të dali nga banesa për ta marrë gazetën “Bota sot”, “Kosova sot” apo “Zëri’ etj. Kam vërejtur se të njëjtat gazeta, të cilat kanë munguar në mëngjez, të tjerët i kanë kthyer në mbrëmje. Nuk është mirë, ka shtuar Dani, lexues.

Lexuesi, gazetën ka dëshirë ta jexojë në mëngjes. Për te, por edhe për mua, është një relaks kohe. Ky veprim po më brengos. Ndoshta nuk do të përsëritet. Unë gazetat në fjalë i lexoj dhe i ruaj. Bile, i ruaj disa pjesë të fejtoneve, të cilat i shtie nëpër fasikulla e vende tjera. Bile, kohës së fundit i ruaj në një sandëk se më dhimbsen ti grisi.

Kur e bëmë pyetje, nga cila kohë lexon gazeta, Dani na u përgjigj: “Unë kam filluar të lexoj nga viti 1968. Atë kohë, kur kam filluar të lexoj gazeta e libra, isha nxënës i shkollave të mesme në Kamenicë. Pra, leximin e kam pasion. Nuk mundem të jem i qetë pa lexuar

ndonjë gazetë apo vepër. Bile, kur kam shkuar ushtar në Pulë, edhe atje e kam kërkuar “Rilindjen” e gazetat tjera. Më hetuan se jam lexues i gazetave. Një kapiten më pyeti, cilat gazeta i lexoj, unë i shtova se e lexoj “Rilindjen” e ndonjë tjetër. Mi siguroi gazetat. Më kujtohet si sot, ku isha ushtar në Pulë, i pata lexuar 150 gazeta, të cilat, pasi e kreva shërbimin, të gjitha gazetat i mora me vete. Kjo kohë është 35 vjet e më tepër.

Sot, më tepër e lexoj gazetën “Bota sot”, ku në faqet e saj gjej fejtone dhe dokumentarë, të cilët i ruaj. Kam filluar të lexoj veprat e Ibrahim Kadriut. Veprën e parafundit e kam lexuar dhe, kjo vepër më ka lënë mjaft pështypje. Por, kam vërejte se pata lexuar një vepër nga një autor tjetër, më duket se ngjarjet e dy veprave janë të njëjta.

Tash jam duke lexuar veprën e Veton Surroit, “Makijato”. Të shoh kur t’i dali veprës në fund, atëhere e kuptoj mesazhin e autorit. Sivjet i kam lexuar afro 15 vepra. I bleva disa vepra dhe jam duke i lexuar, se ato po më freskojnë në jetën e kësaj kohe, në pension. Kjo është dëshira ime e flakë ndaj gazetave e librave”, ka shtuar në fund, Ramadan Kryeziu, një lexues i gazetave dhe librave.

Vërtet, Ramadan Kryeziu, në pension, është lexues i flaktë i gazetave. Ai thotë se, duke lexuar, njeriu fiton kulturë dhe dije. S’ka më bukur se të jesh në rrjedhat e kohës dhe jetës./Tefik Selimi

You Might Also Like