Poezia që fitoi Çmimin e tretë në konkursin letrar të Manifestimit “Flaka e Janarit” 2020
Ramë ORAÇA
REKUIEM PËR SHPRESËN
Qe sa shekujt u nisën tek ti e nuk u kthyen
Tash askush s`të kërkon në këtë kohë
Ecim nëpër udhë me hije zvarranikësh
Që të kthejnë në udhëkryqin e rinjohjes
Mund të jemi parë dhe kemi heshtur e dashur
Diku nëpër stacione të pritjeve të mëdha
Jemi takuar edhe në sheshin e kryengritjes
I kemi shpërla fjalët nga ajri i sëmurë
Askush s`na paska njohur nga turma e pazotë
Edhe pse turreshim gjurmëve kah ulërima
Ti arrite para se të mbërrijë fati i humbjes
Që po na ndjek damarëve të gjakut tonë
Tash nuk di si t`ia bëjmë udhëtarja ime
Jemi bërë pikë e pesë si vezët e qyqes
Mblidhemi sa për një minutë heshtjeje
Presim të nesërmen që të qelë veza e zezë
Kështu sillemi e pështillemi si terziu pa penj
Arnohemi me fjalë që teprojnë nga mosdija
Ulemi kryevendi që mos të biem kryengulthi
Që t`na përgojojnë gjuhëtarët gjuhëprerë
Të gjithë të vramë pahiri nga pagjumësia
Shoshë ia kemi bërë trupin vetvetes e dashur
S`kam ku të çoj pos në copën e qiellit tonë
Atje dhe zoti do të lotoj për vdekjen tënde.
Shifra:Unë dhe unë
PENA E FLAKËS, 2020
KALLNOR M`KALLNOR
Gjurmëve të gjakut tënd erdha
nëpër teh kohësh përbirova
derisa hyra në shekullin e mbijetesës
afshët i mblodha farat e fatit
që pas dy mijë vjetësh lulëzuan në këtë dhé
me rrënjë në vadë legjendash
të mbështjell me lëkurë atdheu
brez pas brezi gjurmonim një të nesërme
që ta gjejmë unazën e lirisë
sa më shumë që gërmonim
e gjenim vetveten të pranguar
dikur kah harrimi
u panë do zogj në hava
dhe kuptuam që s`jemi bë rrafsh me tokë
i pamësuar mos me të pa në ëndërr
tani kam drojë për ty
që s`dita me të dashtë ma shumë
krejt lëngun e shpirtit e shtrydha
e s`munda të shndërrohem në zog
për me fluturua mbi qiellin tënd
tash s`kam kujt t`i ankohem pos teje
mezi i shkrepa dy tri fjalë për ty
që për ç`do kallnor më veshe bojëgjaku.
___________
( Fotografia, nga Rozafë Shpuza )