OPINION

Rrafshoni “varret e sheshit”!



Shkruan: Avni Rudaku

Që në fillim dua ta sqaroj se, në gjuhën shqipe, kur themi shesh ose diçka e sheshtë, i ka këto kuptime: vend i rrafshët, vend i hapët e i lirë për ecje. E kundërta e sheshit është në Gjilan: me struktura të mbivendosura, me disa vazo betoni si pengesa të pakapërcyeshme për të gjithë kalimtarët, e veçanërisht fëmijët, prindërit me karrocë fëmijësh, të moshuarit, paraplegjikët, tetraplegjikët, qytetarët e verbër dhe me shikim të dobët etj. Sheshi është ende i papërfunduar nga lagjja Dardania 1 e deri në shëtitoren e demoluar mijëra euroshe që del për në lagjen e Zabelit dhe ku një pjesë e lumit në fund kundërmon shumë, ndër të tjerash, ka edhe këtë problem që nga projektimi e realizimi: ndërtimi i disa vazove dekorative prej betoni, të mbuluara me dhe, në emër të gjelbërimit. Këto vazo janë në pjesën më të rëndësishme të qendrës së qytetit, te “Bulevardi i Pavarësisë”, me pamje drejt hotelit “Kristal”. Vazot pengojnë sidomos edhe hyrjen në shesh të veturave të ambulancës dhe zjarrfikësve. Gjithashtu, këto vazo po pengojnë zhvillimin e veprimtarisë biznesore. Madje, gjashtë nga bizneset e kësaj pjese, kanë bërë edhe kërkesë në Drejtorinë e Shërbimeve Publike më 27 prill të vitit 2022 dhe nga përgjigjja më 25 maj, shohim përgjigje të papranueshme institucionale dhe amatore: “Pas konsultimeve me ekspertët e fushës, zyren e projekteve dhe inxhinierët nga Drejtoria e Urbanizmit, morëm këshillën se projekti mundet të ndryshohet vetëm me rekomandim të projektuesit. E mandej, meqë i njëjti është në interes të përgjithshëm për komunitetin, duhet t’i propozohet Kuvendit të Komunës së Gjilanit, për miratim. Po ashtu, një ndryshim/ndërhyrje në projekt ka kosto buxhetore e që i njëjti buxhet nuk është paraparë. Prandaj, për momentin projekti mbetet ashtu siç ka qenë deri më tani.”
Më pas, kërkesa ka shkuar në Kuvendin Komunal dhe anëtarët e Kuvendit Komunal nga radhët e pushtetit lokal dhe opozitës, janë të ndarë: pro dhe contra (13 kokrra me 13 kokrra!). Madje, opozita duhet urgjentisht ta përmirësojë këtë gabim, pasi që i atribuohet investimit kapital të qeverisjes së kaluar, me paratë e qytetarëve tatimpagues. Me të gjitha gjasat, janë disa interesa partikulare që fare nuk duhen të dominojnë për atë e këtë lokal se si i bie më mirë apo më keq. Me gjasa, kjo çështje sërish do të del në Kuvend, por është e papranueshme edhe çdo zvarritje në heqjen e këtyre pengesave, që nuk përmbushin asnjë kriter në logjikën ndërtimore dhe arkitektonike: aspektin funksional, praktik, ekonomik, estetik, etik dhe ekologjik.
Prandaj, si qytetar që ende nuk kam vendosur të emigroj, por të rri në Gjilan e të bëj diçka për këtë vend ku jemi lindur, ku po rritemi e ndoshta edhe do mbesim këtu e të plakemi, kërkoj siç kam kërkuar që nga fillimi i projektit, të hiqen dhe të rrafshohen këto “varre të sheshit”, të çlirohet sheshi nga betoni dhe t’i kthehet kalimtarëve, ndihmës së parë, zjarrfikësve, e pse jo, edhe operimit të bizneseve, ku nga karriget jashtë, në mes të lihet e lirë hapësira për ecje, ndërsa anash deri në një masë, mund të jenë edhe për përfitim reciprok: bizneset paguajnë tarifat për këto hapësira të shfrytëzuara, e komuna fiton dhe investon për qytetarët, apo edhe të mbetet krejt i lirë sheshi, tek e fundit. Fronin në shesh e ka kalimtari/ja. Heqja e “varreve të sheshit” ka kosto jo të papërballueshme, prandaj nuk ka fare arsyeshmëri në përgjigjen e Drejtorisë për Shërbime Publike dhe duhet urgjentisht të merret vendimi e të hiqen, pasi që nuk duhet të pritet intervenimi pas 15 qershorit, kur vijnë mërgimtarët. Le të bëhet gjithçka në muajin prill e maj, që sheshi të jetë i rrafshët, siç e kërkon edhe fjalori i gjuhës shqipe: shesh, diçka e rrafshët, e jo me “varre”, gjegjësisht vazo.

 

You Might Also Like