Futboll

Stadiumi në rinovim, ku do t’i zhvillojnë ndeshjet Drita dhe Gjilani

Qyteti i Gjilanit në të ardhmen pritet ta marrë një pamje të re, shkruan “Zeri.info”.

Në stadiumin e këtij qyteti janë duke u kryer punime, ku do të rinovohet komplet stadiumi.

Stadiumi i qytetit të Gjilanit, të cilin e shfrytëzojnë ekipet e futbollit, FC Drita dhe SC Gjilani, parashihet të përfundohet në vitin 2023 dhe të jetë i kategorisë së katërt.

Renovimi i stadiumit të qytetit kap fshirën e 10 milionë eurove.

Klubet nga Anamorava tashmë e kanë zgjedhur edhe stadiumin alternativ për t’i zhvilluar ndeshjet si vendas kur punimet të hyjnë në fazën që nuk mund të zhvillohen ndeshjet.

Drejtori sportiv i FC Dritës, Valon Zymberi, njofton se ndeshjet si vendas ky klub do t’i nisë në stadiumin e qytetit.

“Kampionatin do ta nisim në stadiumin e qytetit. Tek në vitin e ardhshëm pas përfundimit të pjesës së parë të kampionatit parashikohet që të transferohemi në një stadium tjetër. Ne e kemi stadiumin alternativ, që është me bar sintetik në dalje të Gjilanit. Ai stadium i plotëson të gjitha kushtet, por duhen edhe disa investime të vogla, në mënyrë që të jetë gati”, ka njoftuar Valon Zymberi.

Gazeta rreth çështjes në fjalë ka biseduar edhe me drejtorin ekzekutiv të SC Gjilanit, Sevadil Robelli.

“Ne kemi kërkuar nga Komuna e Gjilanit që të bëhen investime në stadiumin me bar sintetik në periferi të Gjilanit, në mënyrë që ndeshjet si vendas t’i luajmë atje kur stadiumi i qytetit të mos jetë i gatshëm për shkak të punimeve. Duhen disa investime të vogla për t’i plotësuar kushtet”, theksoi Sevdail Robelli.

Probleme në këtë edicion me stadiumin si vendas nga klubet e Superligës ka edhe Arbëria e Dobrajës.

Zyrtarja e këtij klubi, Besarta Gashi, ka njoftuar se klubet e Superligës do të bëjnë konak në stadiumin “Agron Rama” në Obiliq.

“Ndeshjet si vendas është vendosur t’i luajmë në stadiumin ‘Agron Rama’ të KEK-ut në Obiliq, për arsye se stadiumi ynë në Dobravë është akoma në rindërtim, ndërsa stadiumi i Ulpianës me sa di unë për një çështje konteksti mes Komunës dhe kontraktonit sa i përket barit nuk i plotëson kushtet për lojë dhe për këtë arsye vendosëm që ndeshjet si vendas t’i luajmë në KEK”, ka thënë zëdhënësja për medie e Arbërisë, Besarta Gashi.

Edhe Besa e Pejës për shkak të punimeve në stadium nuk do të mundë të luajë në “Shahin Haxhiislami”, por në stadiumin e fshatit Brestivik.

Edicioni i ri në futbollin e Kosovës do të nisë më 18 shtator.

You Might Also Like