Në Gjilan përfundoi edicioni i pestë vjetor i Programit Ballkanik të Paqës, organizuar nga Fondacioni arsimor joprofitabil “Bislimi Group” në bashkëpunim me Universitetin e Albertës në Kanada, i mbajtur në Universitetin Publik të Gjilanit “Kadri Zeka”.
Në këtë program akademik veror, të njohur ndërkombëtarisht përmes Universitetit të Albertës, sivjet kanë marrë pjesë studentë të huaj nga Kanadaja, Britania e Madhe, dhe SHBA-të. Falë angazhimit të Fondacionit në fjalë, pjesëmarrja falas në këtë program iu është mundësuar edhe më se 25 studentëve vendorë.
Në ceremoninë përmbyllëse të programit të mbajtur në restorant “Luxor| në Gjilan, fjalën kryesore e mbajti Prof. Dr. Dukagjin Leka, Prorektor për Marrëdhënie Ndërkombëtare pranë Universitetit Publik të Gjilanit. Profesor Leka tha se programet e tilla e ndihmojnë tej mase konsolidimin dhe zhvillimin e Universitetit Publik të Gjilanit, por edhe krijojnë mundësi të mira që studentët e huaj më mësojnë më shumë për Gjilanin e Kosovën në përgjithësi. “Ne e falënderojmë përzemërsisht profesorin Bislimi dhe fondacionin e tij për përkushtimin vetëmohues në realizimin e këtij programi akademik veror ndërkombëtar tani për të pestën here radhazi në Gjilan,” ka thënë prorektori Leka. Ai tutje ka shtuar: “Universiteti ynë ka pas nderin që të jetë përkrahës juaji sadopak. Për studentët e huaj, besoj se tani e tutje ju do të jeni ambasadorët më të rinj të Kosovës nëpër vendet tuaja.”
“Pa përkrahjen e pa rezervë të vullnetarëve që na ndihmojnë ne realizmin e këtij programi, ne nuk do të mund ta bënim këtë të mundur”, ka thënë themeluesi i Fondacionit dhe drejtuesi i programit, prof. Faton Bislimi. Ai tutje ka falënderuar përzemërsisht edhe studentët e huaj dhe ata vendorë për pjesëmarrjen aktive në program.
Nga ana e tyre, studentët e huaj janë shprehur në superlativ për përvojën e tyre në Gjilan në veçanti dhe në Kosovë në përgjithësi. “Asnjëherë nuk do e harroj Kosovën dhe miqtë e mi këtu që ishin pjesë e këtij program,” ka thenë Joe Osborne nga Britania e Madhe. “Për mua, jeni një familje më shumë. Jeni njerëzit më më shpresë dhe kurajo që kam takuar ndonjëherë,” ka thënë Christina Cauottete nga Kanadaja. “Kam shume gjëra që kam mësuar këtu, por jam munduar t’i përmbledh të gjitha në disa pika kryesore,” ka thënë Alexandria Fortis nga Kanadaja, duke shtuar se Kosova ka bukuri të mahnitshme, jo vetëm natyrore, por edhe për nga shpirti bujar e fisnik I popullit të saj.
Edhe disa nga studentët vendorë ndanë mendimet e tyre për programin. “Programet e tilla, si ky i organizuar nga Fondacioni “Bislimi Group” janë mënyra më e mire e mundshme për të përkrahur të rinjtë entuziastë për arsimim të kualitetit ndërkombëtar sikur që jemi ne,” ka thënë Arbisa Shefkiu. Kurse Erjona Huruglica ka shtuar se “gjatë këtyre tri javëve të programit, ne jo vetëm që bëmë miq e kolegë nga disa shtete të botës, por mësuam në një ambient me ligjërata, diskutime, debate – të gjitha në anglisht, dhe patëm ligjërues nderi të niveleve më të larta. Dhe e gjithë kjo është një përvojë mahnitëse për ne, falë mundësisë së dhënë nga Fondacioni i profesorit Bislimi”.
Përveç ligjëratave të mbajtura nga Liza Gashi, bashkë-ligjëruese e programit, dhe profesori Faton Bislimi, me temën “Zhvillimi Ndërkombëtar dhe Politika në Vendet e Pas-Konfliktit: Kosova dhe Ballkani”, para studentëve me fjalime të tyre si ligjërues nderi janë paraqitur edhe Prof. Dr. Chad Briggs nga Universiteti Amerikan ne Kosovë, z. Ruud Vermeulen (Shef i Fondit Monetar Ndërkombëtar për Kosovë), z. Thomas Gncchi (Zëvendës Përfaqësues Special i BE-së në Kosovë), si dhe ambasadori i SHBA-ve Greg Delawie.
Në mbyllje të ceremonisë, të gjithë të pranishmëve iu ndanë Certifikatat e programit.