Gjilan, 19 korrik 2023 – Të premten, më 21 korrik, në Gjilan fillon faza e dytë e dezinsketimit hapësinor, e cila do të zgjasë deri më 26 korrik dhe do të përfshijë lagjet Zabeli i Sahit Agës, Qendra, Arbëria, Dardania, Dheu i Bardhë, Kodra e Dëshmorëve, Bregu i Djegur, përkatësisht hapësirën e tërësishme të qytetit.
Drejtoria për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale, bartëse e projektit, ka përpiluar edhe kalendarin e dezinsektimit sipas lagjeve.
‘Lajmërohen qytetarët e Gjilanit se më 21 korrik, nga ora 19:30 deri ora 01:00 do të zhvillohet faza e dytë e dezinsektimit hapësinor, e cila do të zgjasë deri më 26.07.2023, ora 01:00.
Gjatë kohës së dezinsektimit, luten qytetarët që t’i mbajnë dritaret të mbyllura, në mënyrë që të mos të futen brenda mushkonjat dhe insektet tjera.
Ndërkaq nga bletarët kërkohet që për shkaqe sigurie, gjatë këtyre ditëve t`i mbajnë të mbyllura bletët prej orës: 19:30 deri 05:00 të mëngjesit’.
Dezinsektimi fillon nga lagja Zabeli Sahit Agës, gjegjësisht nga kolektori që zakonisht është burim i mushkonjave dhe insekteve të tjera, për të vazhduar përgjatë lumit Mirusha, në të dy anët e tij, deri afër hotelit
Kristal, Qendra dhe Arbëria.
Më 22.07.2023 dezinsketimi do të bëhet në lagjet Dardania, Dheu i Bardhë, Kodra e Dëshmorëve.
Më 23.07.2023 – në lagjet Bregu i Djegur, Tregu i gjelbër, Rruga e Kumanovës, Lagja e tetë.
Më 24.07.2023 – në lagjet Baleci, rruga e Prishtinës, Iliria (Kamnik), Bujana.
Më 25.07.2023- Lagjja e spitalit, lagjja e Kufcës, Porodini, Lagjja e Vishnjeve, rruga e Bujanocit, Qarkorja si dhe të gjitha hapësirat tjera të qytetit.
Veton Uka, zyrtar për shëndet publik, ka thënë se dezinsektimi do të bëhet edhe në pjesët rurale, atje ku ka potencial më të madh për zhvillimin e insekteve.
Më 26.07.2023 do të dezinsektohen fshatrat Malishevë, Uglar, Pogragjë, Dobërçan, Përlepnicë, Livoç i Epërm, Livoç i Poshtëm, Cërrnicë, Lladovë, Nasalë, Zhegër, Llashticë dhe Velekincë.
Në rast të kushteve të pafavorshme klimatike (shi, erë e fortë) dezinsketimi do të shtyhen deri në ditën e ardhshme, kur të përmirësohet moti, për të vazhduar sipas orarit të paraparë.