Shëndeti

U pensionua urologu dr. Jashar Jashari

Pas një pune me dekada të tëra në shëndetësinë gjilanase, këtë të enjte është pensionuar urologu i mirënjohur gjilanas dr. Jashar Jashari.

Ai punën në shëndetësinë gjilanase e kishte nisur në vitet e 80-ta, duke qenë mjek në Gjilan dhe në lokalitete të tjera të qytetit, kurse pas përfundimit të luftës ai ka specializuar në degën e kirurgjisë – urologji në Prishtinë e Tiranë.

Më pas, në vitin 2003 kthehet në Spitalin Rajonal të Gjilanit, ku ka punuar deri në pensionim.

Në dy mandate dr. Jashar Jashari ka qenë këshilltar i LDK-së në Asamblenë Komunale të Gjilanit, nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), pastaj ishte shef i Poliklinikave të Spitalit Rajonal në Gjilan për një mandat, e së fundi edhe Shef i Repartit të Urologjisë në kuadër të Departamentit të Kirurgjisë të këtij Spitali.

I përkushtuar dhe i përpiktë në punë, shumë profesional dhe i afërt me pacientët, dr. Jashari asnjëherë nuk pati ndonjë vërejtje nga askush, por vetëm fjalë miradije, duke qenë gjithmonë i gatshëm, në çdo kohë e rrethanë që të jetë afër dhe për nevojat e pacienteve duke ofruar shërbime të mirëfillta profesionale. Ai edhe në kohën e luftës në Kosovë, kishte dhënë kontribut të jashtëzakonshëm në mesin e njerëzve ku ndodhej, duke trajtuar raste dhe kryer funksionin e mjekut dhe infermierit.

Pas gjitha këtyre që u thanë për urologun e spikatur, Jashar Jashari, në ditën e pensionimit u shpreh krenar dhe i lumtur që po e përmbyll një mision të shenjtë në shërbim të popullit e kolegët dhe gjithë pacientët, por edhe qytetarët e uruar, duke i dëshiruar çdo të mirë në jetë.

You Might Also Like