Libri

U përurua kompleti i librave të poetit gjilanas Ali Huruglica

Në Bibilotekën Ndërajonale “Fan S. Noli”, këtë të shtunë është përuruar kompleti i librave të poetit të mirënjohur gjilanas Ali Huruglica, shkruan kryelajmi.com

Sabit Rrustemi, botues dhe drejtues i ARS Club “Beqir Musliu”, tha se ky është një komplet prej pesë vëllimeve, të cilin e ka botuar SHB “Beqir Musliu”.

Rrustemi ka thënë se ky përurim bëhet në një nga datat më të shënuara të historisë së Kosovës, në prag të 17 shkurtit, Ditës së Pavarësisë së Kosovës. Ai tha fjalë miradije për familjen Huruglica, e cila me mirëkuptim priti botimin e këtij kompleti dhe ka vlerësuar të gjithë ata që ndihmuan në botimin e këtij kompleti, duke shtuar se Ali Huruglica është emër i shquar në letrat shqipe.

Me një vështrim kritik rreth këtij kompleti librash është paraqitur prof. dr. Anton Nikë Berisha, që tha se tashti lexuesi përpara vetës ka një vepër të plotë. Ai tha se Huruglica shkroi për fëmijë e për të rritur, por se libri i mirë për fëmijë është më i rëndësishëm se libri i mirë për të rritur, ngase letërsia për fëmijë nuk është porosi, por është art e ky vëllim është i tillë.

Poeti e romansieri i mirënjohur Kosovar Ibrahim Kadriu është paraqitur me një shkrim për Ali Huruglicën, të shkruar para 30 viteve e që ishte botuar në shtypin e atëhershëm me titullin “Të fala kolegëve në Prishtinë”.

Kritiku Nexhat Rexha ka folur për disa aspekte edukative në poezinë e Ali Huruglicës e Albina Idrizi, letrare nga Gjilani foli për poezitë e Ali Huruglicës dhe për vlerësimet që janë dhënë nga kritikë të ndryshëm për këtë poet.

Në fund, Prend Buzhala, ka thënë se opusi krijues i Ali Huruglicës e ka një rëndësi të veçantë dhe se librat e këtij poeti vazhdimisht kanë qenë fokus i interesimeve letrare, i kritikës dhe sidomos i lexuesëve të vegjël. Vetë Buzhala në vazhdimësi ishte marrë me veprën e Ali Huruglicës për të cilin kishte shkruar një vepër, e cila gjithashtu është pjesë e këtij kompleti librash.

Në këtë ngjarje të madhe letrare janë deklamuar pjesë nga vepra letrare e Ali Huruglicës, shkrimtarit që ndërroi jetë para 29 viteve, i cili i këndoi vendlindjes, Kosovës e më së tepërmi të vegjëlve, duke hyrë në analet e letërsisë për fëmijë, ngase librat e tij janë pjesë e lekturës shkollore tek ne. /kryelajmi.com/.

You Might Also Like