Libri

U përurua libri “Sylë Zarbica, luftëtar i Shqipërisë etnike”

Këtë të shtunë, në ambientet e Bibliotekës Ndërajonale “Fan S. Noli” në Gjilan është promovuar libri “Sylë Zarbica, luftëtar i Shqipërisë etnike”, botim i Lidhjes së Historianëve të Kosovës “Ali Hadri”, dega në Gjilan, shkruan kryelajmi.com.

Në fakt, disa vite më parë, më 2019, për nder të 121- vjetorit të lindjes së Sylë Zarbincës dhe 75- vjetorit të zhvillimit të betejës të Kikës (26 korrik 1944), organizuar nga Lidhja e Historianëve të Kosovës “Ali Hadri”, dega në Gjilan, në këtë qytet ishte mbajtur Tribuna Shkencore “SYLË ZARBINCA, MARTIR i SHQIPËRISË ETNIKE” në të cilën me punimet e tyre ishin paraqitur 12 studiues të historisë, kurse tashti, po ato punime janë botuar në një libër të veçantë, i cili kishte zgjuar interesimin e lexuesve, udhëheqësve komunalë e familjarëve të kryepersonazhit të kësaj vepre.

Nexhmedin Sejdiu, në cilësinë e moderatorit, por edhe udhëheqës i degës së historianëve të Kosovës në Gjilan, ka thënë se në këtë libër janë botuar përmbledhje kumtesash e artikujsh rreth personalitetit të Sylë Zarbicës,ngjarje interesante e të panjohura deri më tashti në kuadër të luftërave të Gjilanit për liri. “Në këtë libër trajtohen shumë dimensione të këtij personaliteti dhe ky libër është edhe një dëshmi nga jeta dhe vepra e kësaj figure të njohur kombëtare”, ka thënë studiuesi Nexhmedin Sejdiu.

Alban Hyseni, kryetar i komunës së Gjilanit, i cili njëkohësisht edhe e ka përkrahur botimin e këtij libri, ka thënë se Gjilani dhe rrethina ka figura të mëdha kombëtare që ishin nismëtarët e luftërave çlirimtare dhe të cilët ndër breza përcollën kërkesat tona për liri e pavarësi e pa dyshim se ndër ta një vend meritor zë edhe Sylë Zarbica, andaj siç ka theksuar ai, me kënaqësi ka mbështetur këtë projekt të Lidhjes së Historianëve të Kosovës “Ali Hadri”, dega në Gjilan, të cilët i ka përgëzuar për punën dhe angazhimin e bërë.

Blerim Haziri, redaktor i librit, ka rikujtuar se në Tribunën Shkencore të mbajtur për këtë personalitet shumëdimensional ishin paraqitur 12 studiues dhe sot po bëhet promovimi i punimeve të tyre. Haziri ka folur për luftën e Gjilanit dhe rolin që në të pati Sylë Zarbica, duke rikujtuar se pas kësaj lufte pati masakra ndaj popullatës shqiptare. Ai tha se libri ka 265 faqe dhe se në të është dëshmuar se Sylë Zarbica dhe bashkëluftëtaret e tij dhanë një kontribut të çmueshëm në luftën çlirimtare, duke rikujtuar autorët që paraqiten me punimet e tyre: Naim Musliu, me temën “Gjenealogjia e familjes së Sylë Zarbicës”; Avni Maliqi, “Fëmijëria dhe rinia e Sylë Zarbincës”; Jeton Idrizi, “Sylë Zarbinca dhe Gjilani gjatë Luftës së Dytë Botërore”; Faik Sahiti, “Sylë Zarbinca një nga prijësit e shquar ushtarak në luftën për liri”; Enis Abazi, “Beteja e Velegllavës”; Alban Dobruna, “Sylë Zarbinca dhe Beteja e Kikës”; Besnik Kurteshi, “Roli dhe kontributi i Sylë Zarbincës në Betejën e Desivojcës”; Blerim Haziri, “Fazli (Ukë) Ramadani, bashkëluftëtar i Sylë Zarbinës, si dhe udhëheqës i Betejës së Çarrit”; Rexhep Arifi, “Roli dhe veprimtaria e Sylë Zarbincës në vitet 1944 – 1946 dhe vrasja enigmatike e tij”; Fitim Rifati, “Pikëpamje psikohistorike mbi vrasjen e Sylë Zarbincës”; Nexhmedin Sejdiu, “Bashkëpunëtorët më të ngushtë të Sylë Zarbincës” dhe Enver Sadiku, “Folklori dhe institucionet për Sylë Zarbicën”.

Eshref Shabani, nip i Sylë Zarbicës, ka falënderuar kryetarin e komunës dhe të gjithë ata që kanë dhënë kontribut në daljen e kësaj vepre, duke theksuar se nuk po harrohet gjaku i derdhur ndër breza.

Në përurimin e librit kanë folur edhe Driton Ramadani, Ahmet Isufi e Ismajl Kurteshi, duke  çmuar lart jetën dhe veprën e Sylë Zarbicës dhe të bashkëluftarëve të tij, të cilët bartën stafetën e lirisë, luftuan përë të shpëtuar identitetin kombëtar dhe lirinë e popullit shqiptar./kryelajmi.com/.

You Might Also Like