Gjilan

U përuruan investimet në sallën e kulturës fizike në Gjimnazin Shoqëror ,,Zenel Hajdini’’ në Gjilan

Kryetari i Komunës së Gjilanit Alban Hyseni ka zhveshur pallton, ka marr topin e basketbollit dhe i pari ka shënuar në koshin e Gjimnazit Shoqëror ,,Zenel Hajdini’’ në Gjilan, objekt në të cilin këtë të hënë janë përuruar punimet në sallën e edukatës fizike.

Me shtrojë gome, objektet përcjellëse për sporte, sallë të gëlqerosur mbi muret e së cilës qëndrojë fotot gjigante të Granit Xhakës e Xherdan Shaqirit, teksa bëjnë shqiponjën dykrenare, një foto në të cilën Majlinda Kelmendi rrëzon kundërshtaren me ippon, derisa në anën tjetër Distria Krasniqi tregon shkëlqimin e medaljes së artë dhe në dy skaje stemat e dy klubeve të futbollit SC Gjilani dhe FC Drita e që në anën tjetër u rrinë përballë kombëtarja e Shqipërisë dhe Përfaqësuesja e Kosovës, kjo sallë ka marrë një pamje moderne.

Jeton Rexhepi, drejtor në Gjimnazin Shoqëror ,,Zenel Hajdini,,, ka theksuar se ky është një moment përurimi e gëzimi dhe ishte një investim shumë i nevojshëm që i shërben rritës së edukimit dhe zhvillimit fizik e mental. Drejtori Rexhepi nuk ka lënë pa falënderuar të gjithë ata që kanë kontribuar që të kemi një rini të shëndoshë.

Edhe Shpend Nuhiu, drejtor i Arsimit në Gjilan, ka thënë se është ndjenjë e mirë kur ka investime të tilla dhe ai ka kërkuar më shumë ushtrime e kalitje fizike dhe më shumë investime në infrastrukturë.

Alban Hyseni, kryetar i Gjilanit, ka thënë se përkushtimi i qeverisë komunale është për më shumë investime nëpër shkolla, për rritje të cilësisë në arsim dhe për një rini të shëndoshë.

,,Më kryesorët janë nxënësit tanë, të cilëve u duhet një arsimim cilësor, trup i shëndoshë dhe mendje e shëndoshë,,, ka thënë kryetari Alban Hyseni, i cili i ka falënderuar të gjithë ata që kanë kontribuar e janë angazhuar që Gjimnazi Shoqëror ,,Zenel Hajdini,, të bëhet me një sallë të sporteve kaq të bukur, shkollë në të cilën edhe ai vet e kishte përfunduar shkollimin e mesëm./kryelajmi.com/.

You Might Also Like