OPINION

Ura që po e ndan Kosovën

  Shkruan: Ismajl Kurteshi, deputet –

Ura mbi Ibër herë po shëndrrohet në kopsht, herë në barrikadë, por që nga fillimi i bisedimeve të Thaçit me Serbinë kurrë nuk po e luan rrolin e saj të mirëfilltë për të cilën është ndërtuar. Ajo po mbyllet sa herë që Serbisë po i nevojitet një koncesion i ri.

Edhe në takimin e 23 marsit në mes të Thaçit dhe Vuqiqit me ndërmjetësimin e Mogerinit, vetëm dy ditë pas ratifikimit të demarkacionit të kufirit me Malin e Zi u kërkua me urgjencë themelimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

Urgjencës së Serbisë, Thaçi ju përgjigj pa vonesë, pa u konsultuar me asnjë institucion as subjekt politik dhe pa platformë të bisedimeve.

Nga mediat kemi mësuar se po kërkohet asociacioni, që në të vërtet është shumë më shumë se asociacion, në këmbim me hapjen e urës që të qon në një pjesë të Kosovës të okupuar nga Serbia e që mund të mbyllet sa herë që i duhet Serbisë.

Po e premton Serbia hapjen e urës së Kosovës, me kusht që të legjitimohet ndarja e Kosovës në baza etnike që përfshin një sipërfaqe të madhe të Kosovës edhe këndej Ibrit.

Thaçi është takuar në Bruksel me Vuqiqin për realizimin e koncesionit që qon drejt ndarjes së pakthyeshme të Kosovës, kurse Serbia si kompensim për këtë koncesion po pajtohet që të hapet ura që i lidh dy pjesë të shtetit formalisht të pavarur të Kosovës

Ura po hapet për t’u mbyll prapë dhe për të kërkuar koncesione të reja, nëse ka mbetur ende ndonjë gjë pa u koncesionue.

Ky takim si edhe takimet tjera të Thaçit, nuk pritet të bëhet transparent, sepse mungesa e transparencës, pajtimi me marrëveshje shumë të dëmshme për Kosovën janë karakteristikat e takimeve të Thaçit.

Një gjë dihet se Thaçi, i cili para disa viteve deklaronte se Serbia e ka pranuar pavarësinë e Kosovës, tani po e përmend mundësin e normalizimit të marrëdhënieve me Serbin edhe pa njohjen e pavarësisë nga ana e Serbisë.

Deklarimi formal i normalizimit të marrëdhënieve të Kosovës me Serbin po i nevojitet Serbisë për hyrje në BE, por Serbia as një veprim të vetëm nuk po e bënë drejt normalizimit të këtyre marrëdhënieve, që nuk mund të quhen normale derisa Serbia nuk e njeh pavarësinë e Kosovës..

Serbia, jo vetëm që nuk po e njehë Kosovën, por po lobon në vend të ndryshme që të mos e njohin Kosovën madje edhe ta tërheqin njohjen nëse e kanë njohur më herët. Serbia hapur po lobon kundër anëtarësimit të Kosovës në organizata të ndryshme ndërkombëtare. Ajo po e mbanë të okupuar pjesën veriore të Kosovës dhe po i kontrollon gjashtë komuna me shumicë serbe në jug të vendit, e Thaçi pa pyetur askënd po vazhdon i papenguar t’ia bëjë argatin projekteve kolonizuese të Serbisë.

Në këtë situatë katër gjëra janë të rëndësishme:

1. Thaçit t’i mohohet e drejta e dialogut me Serbinë në emër të Kosovës.

2. Të mos lëvizet nga formati i asociacionit që e ka përcaktuar Gjykata Kushtetuese.

3. Dialogu me Serbinë të bëhet me transparencë të plot dhe asgjë të mos nënshkruhet pa u diskutua në Kuvendin e Kosovës.

4. Asnjë marrëveshje që nuk përfundon me njohjen e pavarësisë së Kosovës nga Serbia të mos pranohet.

You Might Also Like