Shkruan: arch. Muhamed Sadriu
E kaluara e qytetit tim është herë e trishtuar e herë e çuditshme, por sigurisht ka edhe tregime të bukura për qytetin, me përrocka por pa lumej të mdhenj.
Ky qytet, jo edhe shumë i vjetër (i vjetër mjaftueshëm por nëse e krahasojmë me qytetet e vjetra është relativisht i ri, bazuar në shkrimet historike) më kujtohet kur kishte rrugët e shtruara me kalldërma, kur kishte edhe shumë zejtarë.
E mbaj mend si i ri që në lagjen Dardani (Gavran) ku kalonte lumi Dobrusha kishte peshqi me bollëk, gjithashtu e mbaj mend edhe kur është ndërtuar “SOLITERI”, siç i thonim si fëmijë, mbaj mend edhe shetitjet në “korzo” e plotë ngarje e vlera që dikur i kishte qyteti im për të cilat kësaj here nuk dua të shkruaj.
Por, një fakt për të cilin kësaj radhe dua të ndalem nuk e kisha dëgjuar kurrë me parë dhe kurrë nuk e kisha ditur më herët, edhe pse shumë shpesh kisha kalu atypari. Këtë e dëgjova dhe e mësova para disa muajve, në një bisedë me njërin ndër traktoristat e parë dhe më të mirët që kishte qayteti i Gjilanit, haxhi Mehmet Tahirin, që tani është 81vjeçar.
Gjatë një bisede për qytetin, e përmendi një fakt interesant dhe më pyeti: “a e din ti që unë me traktor me ‘prekulicë’ plot me zallë, ktuniherë kam kalu nër Urën te Ushtria, urën te udha e Malishevës de (sikur deshti të ma shpjegojë më mirë vendin për të cilin fliste), se nita që po dojshin me mlu si Mirushën. Jo veç unë, po edhe të tjerët që kishin traktora kanë kalu nër at urë, qatyhit kemi bajtë zallë, po jo veç zallë, kemi kalu gjithë. Muj me t’i permen edhe shumë shofera tjerë që këtë mujnë me ta dëshmu që edhe sot janë gjallë si, Tahir Zuka, Idriz Hoti, haxhi Tahir Rahimi (i Malishevës) etj.”.
Për ta vulosur atë që e thoshte, i ktheu sytë kah nipi i tij Halili (që tani është në moshën 70 vjeçare), i cili e konfirmoi duke më thënë: “po more, qysh se maj n’men, po na qatyhit i kemi ra gjithmonë. M’’kujtohet si sot, kjo u kanë viteve të ‘70-ta, nashta edhe në fillim të viteve ‘80- ta”.
Unë mbeta i habitur sepse e mendoj urën në gjendjen që është sot dhe vras mendjen duke e krahasuar me lartësinë e traktorit, për të cilin bëhej fjalë, ishte “Rakovicë” dhe dimensionet e tij janë jo të vogla.
Pas gjithë këtij trgimi, vendosa të shkojë tek ura dhe të bëjë disa matje që të mund t’i krahasoj me situatën e atëhershme dhe gjendjen që është sot kjo urë dhe rrethina rreth saj.
Dhe, në një vizatim të thjeshtë prej arkitekti, kjo është gjendja reale:
Pa dashur që të merrem me fajtorët dhe shkaqet që e kanë sjell në këtë gjendje, jo vetëm urën dhe rrethinën e saj e cila nuk është e vetmja që njeriu, më duhet të them qartë, e ka masakruar ambinetin rreth tij me dashje dhe për qëllime të pa kuptimta personale, pa e pasur sensin e përgjegjësinë për të tjerët, për pasardhësit e tij.
Kjo dukuri e rrënimit të të mirave arkitektonike ambientale dhe natyrore, por edhe shoqërore, të cilat i kemi pasur dikur e që tash i kemi humbur, nuk e ka marrë vetëm urën te ushtria – te udha e Malishevës, por për fat të keq, është duke vazhduar pa ndërprerë katandisjen, e që do t’u ndodhë edhe shumë e shumë objekteve edhe të mirave tjera që na rrethojnë.
Duhet të zgjojmë vetëdijen kolektive dhe institucionale që t’i mbrojmë të mirat që kemi, që të parët tanë na kanë lënë amanet, për t’ua lënë edhe ne pasardhësve tanë…
Gjilan, Muhamed Sadriu arch
Dhjetor 2023 [email protected]