Trashëgimi

Xhamia e Pidiçit

 

dini Shkruan: Sherafedin Kadriu, QRTK – Gjilan

 Xhamia e fshatit Pidiç është ndërtuar në vitin e largët 1645. Është xhamia e tretë me radhë e ndërtuar në komunën e Gjilanit, pas asaj të Mireshit (1526) dhe asaj të Pogragjës (1625). Në të vërtetë, objekti i tanishëm nuk mund të jetë ai i vitit 1645, por se mund të ketë mbi 200 vjet, këtë e thotë lidhshmëria e mbamendjes me varrin e Ajvaz Muçës. Vendësit nuk mbajnë mend të jetë ngritur objekt i ri pas varrimit të Ajvazit qysh në vitin 1863. Por, se objekti i tanishëm është ndërtuar mbi bazën e të vjetrit mund të jetë e sigurt. Imami[1] i kësaj xhamie, thotë se pleqtë e fshatit e kanë thënë shprehimisht se themelet e xhamisë së parë mund të jenë rreth 2-3 metra thellë, nën bazamentin e objektit të tanishëm. Si duket kjo ka ndodhur për faktin se lumthi që kalon pranë xhamisë e kishte vërshuar dy apo tri herë, duke i mbushur dyshemenë me dhe, prandaj e ka detyruar  xhematin që t’ia ngritë bazën objektit.

Materiali për ndërtim është guri, llaçi prej balte, e sidomos hatullat si element konstruktiv. Për murimin e objektit, veç gurëve porozë të marrë aty afër, tek vendi i quajtur Vrella, janë përdorë edhe gurë të lumthit, i cili kalon skaj fshatit.

Xhamia e vjetër  është suvatuar pas një kohe të gjatë, tek në vitin 1965, kur edhe i është shtuar një aneks prej dy metrash gjatësi në anën veriore, sikundër që për 80 cm lartësi i është ngritur edhe plafoni. Përndryshe xhamia është e vendosur në pozitën veri-jug.  Xhamia është e thjeshtë, pa minare, pra i takon tipit lokal të xhamive.

Muri prej guri ka një gjerësi prej 80 cm, i lidhur me llaç balte. Ndërsa, për përforcim të tij janë përdorur tre renda hatullash horizontale. Edhe pjesës së plafonit që qe shtuar në vitin 1965 i është shtuar një hatull e tillë. Xhamia ka një sipërfaqe katërkëndëshi: 11.20 x 7.70 m, ndërsa aneksi i shtuar ka një sipërfaqe prej 2.40 x 7.70 m.

Në sallën e lutjeve ndodhet mihrabi, minberi dhe mahfili. Mungon qyrsi, i cili sigurisht që nuk është ndërtuar për faktin se xhemati që do të mblidhej në atë kohë nuk ishte në numër të madh, por një ballkon i dalë në rrethojën e mahfilit ka shërbyer për myezinin. Mihrabi dhe minberi janë të njëjtë sikundër në të gjitha xhamitë tjera, ndërsa mahfili është më i vogël, por i përshtatshëm me madhësinë e sallës së lutjeve. Përndryshe, mahfili është i punuar nga druri, me shtylla vertikale dhe horizontale, e këto të fundit të mbuluara me dërrasa. Shtyllat vertikale, veç tjerash, kanë edhe kapitele. Rrethoja e mahfilit është punuar nga dërrasat gjithashtu. Shtyllat vertikale janë të dekoruara me një stil të veçantë të gdhendjes. Mahfili ka një tip ballkoni nga brenda sallës së lutjeve, ndërsa në ballinën e tij duken tri hapje rrethore.

Në vitin 2014, xhemati i kësaj xhamie me vetkontribut ka ndërtuar një xhami të re, ndërsa e vjetra ka mbetur si ka qenë, por pa interesim për të. Ruajtja e së vjetrës është ndikuar nga interesimi i QRTK-së në Gjilan.

You Might Also Like