Në kuadër të projektit për mirëmbajtjen, përkatësisht, pastrimin e objekteve arkitekturore i financuar nga MKRS, QRTK ka bërë pastrimin edhe të xhamive në Meshinë dhe Vryqec. Duke qenë objekte në mbrojtje të përkohshme, QRTK është kujdesur që së paku këtë vit të pastrohen objekte që i ka mbuluar bimësia, shkurret drunjtë më të larët etj.
Këto xhami kanë vlera të trashëgimisë kulturore, arkitekturore, të vjetërsisë etj. Duke e parë nevojën për renovim, QRTK ka hartuar edhe projektet për ndërhyrje emergjente.
Vlen të përmendet se xhamia e Meshinës është e vetmja që ka pasur minaren të punuar prej druri, por kjo gati tërësisht është dëmtuar.
QRTK përveç vizitave të rregullta, interesimit për hartimin projekteve, e mundësisht edhe të mirëmbajtjes së kohëpaskohshme ka bërë pastrimin edhe pastrimin e bimësisë edhe të këtyre dy objekteve, duke larguar ferrat, barin, shkurret e drunjtë e ndryshëm që i kishin kapluar këto dy objekte.
***************
Xhamia në Meshinë:
Historik i shkurtër
Xhami e fshatit Meshinë, gati është shkatërruar fare. Kështu mund të thuhet edhe për muret e saja, e sidomos për minaren e cila është prej druri, dhe si e tillë haset vetëm në këtë xhami.
Sallës së lutjeve i prinë hajati, në të cilin ndodhen shkallët për të hipur në mafil, nga i cili hyhet në minaren e drurit nëpërmjet një deriçke. Mafili ka një shtrirje ndryshe nga mafilat e tjerë të xhamive të ndryshme. Në anën lindore shtrihet në tërë sipërfaqen e sallës së lutjeve, ndërsa në anën perëndimore përfundon pa u bashkuar me mimberin.
Muret e hajatit janë të kornizuara me dy vijëza ngjyrash: blunë dhe ngjyrë kafenë, ndërsa në pjesën e poshtme të murit vetëm me të kaftën. E tërë sipërfaqja është e dekoruar me lule të tipit tapetash. Në anën e sipërme të mureve, mbi dekorimin me ngjyra, ndodhen simbole të islamit,-ylli me gjysmëhënën. Ylli ka gjashtë cepa.
Salla e lutjeve me sipërfaqe 7.40 x 10.60 m. ka tavan. Gjerësia e mureve është 85 cm.
Objekti ka tetë dritare, ndërsa dy prej tyre korrespondojnë me hajatin. Suvaja e mureve të sallës së lutjeve është pikturuar me jeshilen e çelur, kurse kornizimi i mesëm është bërë me një shirit biçim frizi.
Mihrabi është i dekoruar thjeshtë, sikundër edhe mimberi është i bërë shumë thjeshtë prej druri. Mafili qëndron vetëm në një shtyllë, ndërsa anash është vendosur mbi muret anësore. Parapeti i mafilit, megjithatë është stilizuar bukur. Ka një punim në formë halash peshku.
Xhamia në Vryqec:
Historik i shkurtër
Xhamia e Vryqecit është e vendosur në mes të dy fshatrave, më saktë në mes të Vryqecit dhe Marocës. Xhamia është ndërtuar në vitin 1826. Prej ndërtimit e deri viteve të fundit, xhamia ka shërbyer për kryerjen e ceremonive fetare për besimtarët e këtyre dy fshatrave. Xhamia i takon tipit lokal të xhamive. Është xhami pa minare. Kulmi i xhamisë është katërujor, ndërsa nga brenda salla e lutjeve ka tavan. Kulmi ka strehën e gjerë rreth 90 cm, si dhe frizin e dhëmbëzuar nga druri.
Veçanti e kësaj xhamie është se e përmban një korridor të ngushtë në hyrje, dhe dy dhoma që i paraprijnë sallës së lutjes. Njëra dhomë kishte shërbyer për mësimbesim, ndërsa tjetra për fjetje të imamit, kur vinte nga një fshat tjetër.
Muratimi me gurë, gjerësia e murit prej 70 cm si dhe lartësia e objektit, që është më e ulët se zakonisht, dëshmojnë për vjetërsinë e xhamisë.
Brendia e sallës së lutjeve përmban mihrabin, mimberin dhe mahvilin. Mihrabi paraqet vetëm një nishë të pa dekoruar, përpos një ngjyre të kuqe që shkon e ngushtohet në mes. Mbi mihrab gjendet një dekorim i vetëm që si friz i sillet sallës së lutjeve rreth e rreth. Mimberi është prej druri dhe nga ana e majtë e tij janë të gdhendura disa figura gjeometrike. Mahvili është i punuar nga druri, me parapet të gdhendur e me stilizime të pakta. Mbështetet vetëm në një shtyllë druri me kapitel, edhe ajo me gdhendje të varfra. Në dy anët tjera mbështetet në muret anësore. Xhamia është pakëz e errët, pasi që disa nga dritaret janë mbyllur me dërrasa. Janë gjithsej 6 dritare në radhën e parë, dhe tri në radhën e dytë. Salla e lutjeve është e fasaduar me llaç balte dhe më pas është gëlqerosur me gëlqere të shuar.
Më 2005 në xhami është bërë restaurimi i dritareve, i mureve dhe i kulmit.
Gjendja fizike e xhamisë nuk është e mirë, ka pjesë të murit që janë çarë aq sa duket drita në anën tjetër. Rruga për te xhamia është shumë e keqe dhe në të arrihet me vështirësi.
QRTK, Gjilan-Ismet Tafili