Prof. Farush Zeka – Një jetë në shërbim të dijes, biznesit dhe atdheut
Pas një pune të frytshme në arsim, këtë të hënë është pensionuar Farush Zeka, profesor i filozofisë në Gjimnazin Natyror “Xhavit Ahmeti” në Gjilan.
Prof. Farush Zeka gjatë tërë kohës sa punoi në arsim ishte një pedagog i përkushtuar, pos kësaj ai ishte edhe biznesmen i njohur, i cili ka lënë gjurmë të rëndësishme si në fushën e arsimit, ashtu edhe në jetën shoqërore dhe ekonomike.
Karrierën e tij në arsim e filloi në vitin 1998, duke punuar fillimisht në Shkollën e Mesme të Mjekësisë “Asllan Elezi” në Gjilan. Më pas vazhdoi angazhimin e tij në Shkollën e Mesme të Bujqësisë “Arbëria”, ndërsa vitet e fundit të karrierës i kaloi në Gjimnazin Natyror “Xhavit Ahmeti”, ku edhe u pensionua, duke përmbyllur me dinjitet një rrugëtim të gjatë e të suksesshëm në arsim.
Gjatë gjithë veprimtarisë së tij si profesor i filozofisë dhe sociologjisë, ai u dallua për profesionalizmin, integritetin dhe përkushtimin ndaj
edukimit të brezave të rinj, duke nxitur tek nxënësit mendimin kritik, kulturën e dialogut dhe vlerat njerëzore.
Krahas angazhimit në arsim, Prof. Farush Zeka është edhe një biznesmen i njohur. Veprimtarinë e tij afariste e filloi në vitet nëntëdhjetë, në një periudhë sfiduese për vendin dhe në kohëra tejet të vështira. Me përgjegjësi dhe përkushtim, ai kontribuoi vazhdimisht në të mirën e Kosovës, duke paguar rregullisht kontributin prej 3%, si dhe duke ofruar mbështetje në forma të ndryshme për nevojat e kohës dhe për çështjen kombëtare.
Puna, ndershmëria dhe përkushtimi i Prof. Farush Zekës në arsim, biznes dhe shoqëri përbëjnë një shembull të mirë dhe të përgjegjësisë ndaj vendit. Kontributi i tij mbetet i çmuar dhe frymëzues për brezat e tanishëm dhe ata që do të vijnë.
Profesorit Farush i dëshirojmë shëndet edhe jetë të gjatë pranë më të dashurve të tij.



