Meti REXHEPI
ÇASTEVE TË JETËSIMIT
( Cikël poetik )
POETI SEDËRMADH
Pohonte një poet sedërmadh:
ç`janë lulet kundruall vargut tim margaritar
kam mijëra ngjyra të pa zbërthyera
sikurse të luleve në harlisjet e lira
vetëm nuk po ua gjeja dot kodet e fshehura
se do t`i shpërfaqja më të bukura
por Enigma e Përsosjes së Bukurisë nuk t`i zbuluaka
vendndodhjet apo çast-ardhjet e mrekullisë
Poetit të sedrës së lartë
vazhdës së pritje – çeljes së bukurisë
nuk i erdhi çasti i artë
mes lulnajës së harlisur
iu hodh dheu i zi
njëqind lopata krejt papritur
Gjilan, kallnor 2025
FJALORI I ZI
Fjalorin e zgjebosur
se mban dot në këmbë as vitrina
është pa vëllim pa fletë e shkrola
pa veshje stolisur me kopër tina
për çudi edhe kur nuk bie shi
togfjalësh ferrakë gjemborë i mbijnë
vegjetimi i harlisur i duket në sy
fletë – bardhës sime i derdh tush të zi
të nxirosësh bardhësinë e një urtie
ngelur shtatzënë në çaste fisnikërie
sedrës së mllefit i ngule gozhdë të ndryshkur
ç’ trajtë do t’i jepet lindjes së pritur
i vardisesh hapësirës së dëlirë
pa ngurruar së toku me lukuni
pshurrë mbi rrënjë trungun e Pemës Urti
ishte hije e bekuar e një invalidi të ri.
Gjilan, fund gushti 2026
GUXIMPLOTI
Mëtoja të hyja te Ti
te Ngrehina e Madhështisë prej lëkure
asnjë derë për mua nuk kishe hapur
si i humbur vërtitesha asaj andralle
graviteti Yt kishte joshje magjike dhe tragjike
udhës së ekuinoksit valëzim i zi bore
përse sendorët nuk i hapeshin peshës sime
përballë portave te Madhështia Jote
më the: do të vija edhe pa më ftuar
por mos të shihja veçse një anonim mjegullor
nuk dija a je i shpërfytyruar
çfarë Zoti ke
a të dukej në syprinë së paku një çati
për breshërimën mbi krye të këtij a të atij
apo lukuni hienash që të pjellin në shtëpi
si në një fermë për kultivim eshtra thyesish
më parë mbill farë
eliksirin ta sjell falë
flake alkiminë dhe peshën kaba së koti
dyert t’i hapin vetëm ritmet e një guximploti
SPROVA E KËNGËS
mëtimi mund t ‘mi shtangë kordat
lë të jem zëri që lëviz të rënët
dëshmor i drithërimës së tingujve
sy e veshë t`i mbyllen kakofonisë bizantine
i shtruar në letër sy pambyllur
çfarë i lypje vjeshtës së saj të pa velur
pos një galdim të përkorë shëmbëllimit
që djersët e lotët pikë pikë pikë
e shkrinë të tërën në muzikë
ideve të tija në partitura
papandehur po ia zinte udhën një ortek
një mal flake e kuqërremtë e mbyllte çdo shteg
lugina u bë humnerë dhe prapakthimi
hienë e kafshimit
ajër djegësire për zërin e ngjirur të tenorit
shuhet kënga por jo jehona e mëtimit
në kraterin pluhuror të meteorit
Gjilan, prill 2025
MOS U PLAKSH KURRË: O DIELL
Rrotullueshëm ditë – natë rreth Vatrës së Zjarrtë
është dhuntia që i është falur Yll-kaltrës
por kjo s’është një kartë galaktike
e padjegshme për çdo mandat
kureshtjet për gjithë universin etiketa për çmenduri
deri kur mund të mbahet kjo baraspeshë pa kiamet
i shijeve të kafesë së pa derdhur gjatë rrotullimit marramendës
rreze – bardhash dhe net uri hienash
çasteve të jetësimit
më mirë të mos e dimë plakjen e Diellit
Gjilan, qershor 2026



