Në Tabanoc, në afërsi të kufirit mes Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë, kanë nisur punimet për pastrimin dhe rregullimin e hapësirës përreth Xhamisë historike “Koxha Mehmed Beu”, pronë e Myftinisë së Bashkësisë Fetare Islame në Kumanovë.
Sipas njoftimit të Myftinisë, më 25 shtator kanë filluar punimet në oborr dhe në hapësirat e jashtme të xhamisë, me qëllim sistemimin dhe mirëmbajtjen e saj.
Xhamia “Koxha Mehmed Beu” është një monument i rëndësishëm i trashëgimisë osmane në këtë trevë. Sipas dokumentacionit të trashëgimisë kulturore, ajo është ndërtuar në periudhën 1586–1596, ndërsa burime të tjera e datojnë ndërtimin në vitin 1586.
Për shkak të vjetërsisë dhe gjendjes së saj, xhamia prej vitesh ka qenë në pritje të ndërhyrjes dhe restaurimit. Ajo është e mbrojtur si monument i trashëgimisë kulturore.
Kjo ndërhyrje shënon një hap të ri në përpjekjet për ruajtjen e një prej objekteve të rëndësishme historike dhe fetare të Tabanocit. /Preshevacom





