Trashëgimi

Kulla e Kadri Vehbi Zeqirit në Haxhaj

dini   Shkruan: Sherafedin Kadriu, QRTK-Gjilan

 

Në fshatin Haxhaj, 17 km në jug të Gjilanit, gjendet kulla dykatëshe e Kadri Vebi Zeqirit. Ky ndërtim u realizua në dekadën e tetë të shek. XIX, përkatësisht në vitin 1880.

Kulla ka dy etazhe, ku çdo ambient ka pasur funksion të caktuar të banimit. Ka planimetri drejtkëndëshe. Në përdhese ndodhet shtëpia e zjarrit dhe ahuri për kafshët. Në katin e parë është një ndarje e madhe – divanhania e cila ka shërbyer  për ndeja gjatë ditës, por nuk ka dalje jashtë murit perimetral. Më shumë i përngjan një dyshekllëku të shtrirë në tërë ballinën e fasadës. Divanhnia komunikon me tri kthina, njëra prej tyre e përdorur si odë. Katet  kanë komunikuar nëpërmjet  shkallëve të brendshme prej druri, të cilat kanë pasur  një pozitë bukur pingule.

Mjeshtrit që ishin nga Dibra, kanë përdorë gurë të latuar, sidomos në qoshe dhe gjysmë të latuar. Gjithashtu, si element konstruktiv kanë përdorë edhe hatullat, a brezatr e drurit të vendosur në çdo një metër të murit. Muret janë suvatuar me llaç balte. Kulla mbulohet me kulm katër ujor, të mbuluar me qeramidhe tradicionale nga argjila. Në pamjen ballore të kulmit dalin edhe dy baxho që shërbejnë për ndriçim të kulmit.

Fasadat janë lineare, ku dinamikën e vetme e krijojnë hapjet e dritareve të vendosura në mënyrë ritmike. Karakteristikë e kësaj kulle janë dritaret, të cilat nga ana e jashtme kanë formë harkore në pjesën e sipërme, të punuar me kornizë nga guri, kurse nga ana e brendshme kanë formë drejtkëndëshe.

Në enterier janë ruajtur elemente origjinale, sikurse oxhakët dhe shtyllat e drurit, të cilat dalin me kapitele.

Kulla ruan nivelin e lartë të autenticitetit edhe pas intervenimit emergjent në kulm dhe mure,  – realizuar nga CHwB-ja. Si e tillë, kjo kullë karadakase paraqet një shembull karakteristik të arkitekturës së banimit fshatar në fund të shek. XIX.

You Might Also Like