Pas përfundimit të kampionatit në Superligën e Kosovës në Futboll, SC Gjilani, është radhitur në pozitën e tretë me 62 pikë të tubuara, dy më pak se rivali lokal FC Drita që kishte 64 pikë dhe 14 më pak se Ballkani i Suharekës që është shpallur kampion, shkruan kryelajmi.com.
SC Gjilani, nga 108 pikë të mundshme, ka marrë 62 pikë, apo 57,11 përqind të pikëve. Gjatë kampionatit 2021/2022, Gjilani ia doli që në portën e kundërshtarëve të shënojë 57 herë (duke mos llogaritur këtu golin e shënuar nga Enea Koliqi ndaj Ballkanit), apo mesatarisht për ndeshje ka shënuar 1,58 gola, derisa portierët Gjilanit, Enea Koliqi dhe Arion Ymer në 36 ndeshje kanë pësuar 36 gola, apo për ndeshje kanë pësuar nga një gol, duke llogaritur edhe ndeshjen e regjistruar me rezultat 0:3 ndaj Ballkanit. Gjilani në kampionat ka arritur 16 fitore, 14 barazime dhe 6 humbje.
E veçantë e SC Gjilani është se kampionatin e nisi me kryetrajnerin Ismet Munishi, por pas humbjes ndaj Dukagjinit në Klinë ai është shkarkuar dhe ekipin kuq e bardh nga Gjilani e udhëhoqi ndihmësi i tij, Alban Hyseni.
Golashënuesi më i mirë i Gjilanit dhe më i miri në Kosovë ishte Gerhard Progni, i cili ka shënuar 23 gola, nëntë nga të cilët nga penaltia. Pra, ai shënoi 0,64 gola për ndeshje. Në bazë të këtyre statistikave del se Progni ka shënuar 40,35 përqind të golave për Gjilanin. Ndër golashënuesit më të mirë të Gjilanit është edhe Blerim Krasniqi me 9 gola, Shend Kelmendi – 7, Albert Dabiqaj që ka shënuar 5 herë dhe Keita Razak 4 herë.
Porta e Gjilanit mbeti e paprekur në 12 ndeshje.
Gjatë këtij kampionati, në ndeshjen ndaj Dritës (0:0) nga futbolli si lojtar aktiv u përshëndet kapiteni shumëvjeçar i SC Gjilani, Ylber Kastrarti.
SC Gjilani sivjet do të garojë në Evropë në UEFA Conference League.
Kryelajmi.com