Gjilan

Ilmi Mustafa: 28 Nëntori, një ditë për të nderuar historinë dhe heronjët tanë

Në kuadër të shënimit të Ditës së Flamurit, 28 Nëntorit, Ilmi Mustafa, anëtar i Kryesisë së AAK-së në Gjilan dhe në Gjermani, ka përcjellë një urim të përzemërt për të gjithë shqiptarët. Ai e cilësoi 28 Nëntorin si ditën më të madhe dhe më të rëndësishme në historinë e kombit shqiptar, duke përkujtuar rrugëtimin historik nga epoka e Skënderbeut, pavarësia e shpallur nga Ismail Qemali dhe luftërat e Isa Boletinit, deri te heroizmi i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe sakrifica sublime e Adem Jasharit. “28 Nëntori është simbol i krenarisë sonë kombëtare, i sakrificës dhe unitetit që na ka mbajtur të fortë gjatë shekujve. Ky flamur përfaqëson gjakun, luftën dhe dashurinë për lirinë që na e kanë lënë trashëgimi brezat që dhanë gjithçka për atdheun,” u shpreh Mustafa. Me këtë rast, ai ftoi të gjithë shqiptarët të nderojnë të kaluarën dhe të punojnë së bashku për të ardhmen e ndritur të kombit tonë, duke ruajtur dhe kultivuar vlerat që na bashkojnë. Urimi i tij përfundon me mesazhin: “Gëzuar 28 Nëntorin – Ditën e Flamurit dhe të Kombit!”

You Might Also Like