Sporti i karatesë në Gjilan ka arritur një nivel të lartë falë dy emrave të njohur të këtij sporti, Alban Beqiri dhe Shkëlzen Balaj. Këta dy trajnerë, të cilët drejtojnë Klubin e Karatesë “AS” dhe Klubin e Karatesë “Agim Ramadani”, kanë krijuar një rivalitet të shëndetshëm në sport, duke sjellë suksese të mëdha për sportistët e tyre dhe për komunitetin e karatesë në Kosovë.
Edhe pse në jetën e përditshme janë miq të pandashëm, në garat sportive ata kthehen në rivalë të përbetuar, të cilët nuk njohin kompromis në përpjekjet për të arritur majat e suksesit. Ky rivalitet ka bërë që të dy klubet të shquhen si më të suksesshmet në komunën e Gjilanit dhe të jenë ndër më të mirët në nivel vendi.
Viti 2024 ishte një vit i jashtëzakonshëm për KK “AS” dhe KK “Agim Ramadani”, të cilët kanë korrur rezultate të shkëlqyera në garat vendore dhe ndërkombëtare. Medaljet e fituara tregojnë përkushtimin e sportistëve dhe trajnerëve, si dhe punën sistematike që bëhet në këto klube. Rezultatet e vitit 2024: – KK “AS”: 117 medalje (33 të arta, 31 të argjendta, 53 të bronzta). – KK “Agim Ramadani”: 106 medalje (35 të arta, 22 të argjendta, 49 të bronzta).
Puna e palodhur e trajnerëve dhe garuesve ka bërë që këto klube të jenë sinonim i suksesit në karate, duke i vendosur Gjilanin dhe Kosovën në hartën e garave ndërkombëtare. Rivaliteti mes Beqirit dhe Balajt mund të krahasohet me përballjet më të mëdha sportive në botë. Në Kosovë, ky rivalitet është i ngjashëm me atë mes “Skifterave” dhe “Intelektualëve”, dy grupet më të zjarrta të tifozëve në Gjilan. Në nivel ndërkombëtar, mund të krahasohet me përplasjet legjendare si: Milan – Inter, Fenerbahçe – Galatasaray, Olympiacos – Panathinaikos, Dinamo Zagreb – Hajduk Split, Rangers – Celtic. Ky rivalitet nuk është vetëm një sfidë personale mes dy trajnerëve, por një motivim për sportistët e tyre, të cilët çdo ditë stërviten me synimin për të triumfuar mbi rivalët e tyre në gara.
“Ne në jetën e përditshme jemi shokë dhe çdo ditë punojmë për të mirën e karatesë, por në gara jemi rivalë të përbetuar. Kur nis një sfidë, nuk e njohim njëri-tjetrin, sepse kemi objektiva të qarta për klubet tona,” shprehet Alban Beqiri, trajneri i KK “AS”.
Ndërsa Shkëlzen Balaj, trajneri i KK “Agim Ramadani”, shton: “Të kesh rivalitet me shokun e përditshëm është sfidë më vete. Ne kalojmë shumë kohë së bashku, shkëmbejmë ide për të mirën e karatesë dhe japim kontributin tonë për zhvillimin e këtij sporti. Por kur takohemi në gara, gjithçka ndryshon. Ne bëhemi të pamëshirshëm në synimet tona për të fituar dhe për të nxjerrë më të mirën nga sportistët tanë.
” Përveç suksesit të klubeve që ata drejtojnë, Beqiri dhe Balaj janë edhe figura të rëndësishme të sportit të karatesë në Kosovë. Përkushtimi i tyre në trajnim, strategjitë e zgjuara dhe motivimi që u japin sportistëve i kanë kthyer në emra të respektuar në këtë disiplinë. Ata jo vetëm që kanë arritur të krijojnë një komunitet të fortë sportiv, por kanë kontribuar edhe në promovimin e karatesë si një sport i rëndësishëm për rininë, duke ofruar një alternativë të shëndetshme për zhvillimin fizik dhe mendor të të rinjve. Duke parë sukseset e vitit 2024, të dy trajnerët janë zotuar se në vitin 2025 do të sjellin edhe më shumë medalje për klubet e tyre. Ata besojnë se konkurrenca e tyre do të vazhdojë të jetë një shtysë e madhe për të çuar përpara sportin e karatesë në Kosovë.
“Viti 2025 do të jetë edhe më sfidues. Ekipet tona do të jenë në kulmin e përgatitjeve dhe synimi ynë është që të arrijmë rezultate më të larta si në arenën vendore, ashtu edhe në atë ndërkombëtare,” kanë deklaruar Beqiri dhe Balaj.
Shembulli i Alban Beqirit dhe Shkëlzen Balajt tregon se konkurrenca e ndershme dhe pasioni për sportin mund të sjellin rezultate të shkëlqyera. Dy trajnerët gjilanas janë jo vetëm rivalë të përbetuar në tatami, por edhe miq të ngushtë jashtë saj, duke dëshmuar se sporti është një forcë që bashkon dhe zhvillon një komunitet të tërë. Ky rivalitet ka sjellë një frymë pozitive në karate, ku çdo garë është një mundësi për të dëshmuar aftësitë dhe për të synuar majat e suksesit. Me përkushtimin dhe punën e tyre, Beqiri dhe Balaj vazhdojnë të jenë dy figurat më të spikatura të këtij sporti në Gjilan dhe në mbarë Kosovën.