ARSIMI

Drejtoria e Arsimit, publikon hulumtimin “Dhuna në shkolla dhe faktorët e ndërlidhur me të”

Shpalosen rezultatet e arritura nga hulumtimi “Dhuna në Shkolla dhe Faktorët e ndërlidhur me të”.
Ky studim është realizuar nga Drejtoria e Arsimit tê Komunës së Gjilanit me psikologet shkollore për herë të parë në shkolla.
“Të nderuar kolegë, drejtor, prindër, dhe arsimdashës. Kemi kënaqësinë dhe privilegjin të ju ftojmë në një ngjarje të veçantë dhe jashtëzakonisht të rëndësishme për komunitetin arsimor”, tha drejtoresha e Arsimit.
Albana Demiri, tregoi se me 10 qershor në Shkollë të Arteve, mbahet eventi, ku do të shpalosen rezultatet e arritura nga hulumtimi “Dhuna në shkolla dhe faktorët e ndërlidhur me të”.
Sipas saj ky studim është realizuar për herë të parë në shkollat fillore, shkollat e mesme të ulëta dhe të mesme të larta të komunës së Gjilanit, nga psikologet shkollore në bashkëpunim me Drejtorinë e Arsimit.
“Kur flasim për shkolla, dhuna në shkolla është një problem serioz që mund të prek jo vetëm individët, por tërë komunitetin tonë. Andaj, ky studim i thelluar na ofron një analizë të rëndësishme në raport me faktorët e rrezikut nga nxënësit, atmosferën(situatën dhe klimën në shkollë), mbështetjen e mësimdhënësve ndaj nxënësve, viktimizimin nga nxënësit dhe mësimdhënësit, si dhe ngacmimin seksual. Tutje gjatë këtij takimi do të jepen rekomandime për masat parandaluese dhe ndërhyrjet efektive”, tha Albana Demiri.
Drejtoresha e Arsimit, shtoi se ky takim është një mundësi unike për të diskutuar këto gjetje, për të ndarë përvojat dhe për të bashkëpunuar në krijimin e një mjedisi shkollor më të sigurtë dhe mbështetës për të gjithë nxënësit.
“Së bashku, mund të kontribuojmë në përmirësimin e cilësisë së arsimit dhe në nxitjen e një klime pozitive në shkollat tona. Andaj, prezenca dhe kontributi juaj janë të domosdoshme për arritjen e këtyre qëllimeve”, tha drejtoresha Demiri.
Detajet e takimit
Data: 10.06.2024
Ora: 10:00
Vendi: Salla Koncertale në Shkollën e Arteve.
Pjesëmarrësit:
– Autoret e studimit – psikologet e shkollave fillore, shkollave të mesme të ulta dhe të mesme të larta;
– Përfaqësues të shkollave dhe institucioneve arsimore;
– Përfaqësues nga Qendra për Punë Sociale;
– Prindër, mësues dhe nxënës;
– Anëtarë të komunitetit dhe organizata të shoqërisë civile;
– Policia;
– Të tjerë.

You Might Also Like